Mbyllet misioni i FMN-së në Shqipëri. Ministri i Financave Petrit Malaj në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me shefen e misionit të FMN-së në Shqipëri, deklaroi se ekonomia shqiptare në 6-mujorin e parë të vitit 2025 është zgjeruar me 3.6%, citon “RTSH”.
Malaj specifikoi se kjo rritje ka përfshirë të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa shtoi se parashikimi për vitin 2025 ka shënuar rritje 3.9%, e mbështetur nga dinamika solide e ekonomisë reale.
“Shqipëria ka dëshmuar se ka kapacitet për t’u përshtatur dhe për të mbrojtur trajektoren e saj të zhvillimit ekonomik. Institucionet tona kanë treguar maturitet në menaxhimin e rreziqeve dhe hartimin e politikave për minimizimin e kostove të ardhura nga goditjet e jashtme.
Në 6-mujorin e parë ekonomia shqiptare është zgjeruar me 3.6%, performancë që tregon shëndetin e saj të mirë”,- deklaroi Malaj.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se investimet totale janë rritur me 4.1%. Ai theksoi se projektet strategjike në infrastrukturë dhe energji do të vazhdojnë të kenë një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të vendit.
Ministri u ndal gjithashtu te tregu i punës, për të cilin tha se po përjeton një transformim historik. Ai sqaroi se papunësia ka rënë në minimumin e saj historik në vlerën 8.5%. Malaj theksoi po ashtu se inflacioni vijon të mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm.





























































