Mali i Zi, Arrestohet ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë Vesna Medenica

Autoritetet në Mal të Zi kanë arrestuar ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë Vesna Medenica, e cila drejtoi institucionin për 17 vjet e dyshuar për shpërdorim të detyrës.

“Medenica u arrestua në aeroportin e kryeqytetit Podgoricë gjatë natës”, sipas burimeve policore.

Sipas raportimeve të medieve, autoritetet kanë mundur të deshifrojnë mesazhet me tekst në telefonin celular të djalit të saj, Milos, me ndihmën e organizatës evropiane të bashkëpunimit policor “Europol”.

Nga viti 2003 deri në vitin 2007, ajo ishte prokurore supreme, më pas kryetare e Gjykatës së Lartë. Në vitin 2019, asaj iu besua ky rol për herë të tretë. Sipas ekspertëve juridikë, kjo përbën një shkelje të kushtetutës aktuale, e cila lejon maksimumi dy mandate.

Ajo dha dorëheqjen në fund të vitit 2020.