Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit aktin më të rëndësishëm të qeverisë Rama në kapitalin e saj politik, OFL-në.
Vendimi i Kreut të Shtetit mban datën 26 mars dhe i është dërguar menjëherë Kuvendit i cili e ka futur në procedurë parlamentare ku sipas të gjitha gjasave do ta rrëzojë. Presidenti në argumentin e tij ligjor ka akuzuar qeverinë dhe Kuvendin se nëpërmjet miratimit të këtij akti normativ, ka marrë kompetencat e pushtetit gjyqësor.
Argumentimi i parë i Metës ishte se akti normativ me fuqinë e ligjit nuk është nxjerrë në kushtet e urgjencës apo të një boshllëku legjislativ dhe ka shkelur parimin e balancimit të pushteteve duke marrë kompetencën e Kuvendit në një ligj që duhet të miratohej me shumicë të cilësuar.
Argumenti tjetër i Kreut të Shtetit ishte pezullimi i pafajësisë për personat që janë subjekt i këtij ligji ku sipas Mëtës, pa pasur një vendim gjykate, një person nuk mund të quhet si subjekt kriminal.
Përsa i përket sekuestrimit të pronës që është edhe një nga masat kryesore të veprimtarisë së OFL-së, Presidenti Ilir Meta thekson se këtu shkelet hapur neni 41 i Kushtetutës që garanton të drejtën e pronës private.
Kreu i shtetit e mbyll argumentimin e tij se pushteti ekzekutiv përmes këtij akti normativ i rrëmben me forcë prokurorit përgjegjësitë kushtetuese dhe procedurale për ushtrimin e hetimit dhe ndjekjes penale./h.e