Baku dhe Jerevani mund të arrijnë paqen brenda formatit rajonal 3+3 që përfshin Iranin, Rusinë dhe Turqinë, tha ministri i jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij armen Ararat Mirzoyan në Jerevan.
“Një paqe e qëndrueshme mund të arrihet në muajt e parë të 2024 dhe ne jemi pozitiv. Ato ndjenja pozitive që ekzistojnë në rajon mund të realizohen pa ndërhyrje të jashtme përmes ndërmjetësimit të Iranit, Turqisë dhe Rusisë brenda formatit 3+3,” ai tha.
Ministri i Jashtëm armen shtoi se Jerevani ka marrë një tjetër paketë propozimesh nga Baku për përfundimin e një marrëveshjeje paqeje dhe do të përgjigjet në kohën e duhur. Ai gjithashtu vuri në dukje se një dritare mundësie për paqe me Bakun është hapur, por kjo varet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë konstruktivitetin e Azerbajxhanit.
Nisma e një formati gjashtëpalësh të bashkëpunimit për Kaukazin e Jugut u iniciua në fund të vitit 2020 nga liderët e Azerbajxhanit dhe Turqisë, Ilham Aliyev dhe Tayyip Erdogan. Më vonë u quajt 3+3. Rusia dhe Irani e mirëpritën idenë dhe Armenia iu bashkua gjithashtu formatit. Gjeorgjia tha se nuk kishte plane të merrte pjesë në iniciativë. Më 10 dhjetor 2021, u mbajt në Moskë takimi i parë i platformës rajonale konsultative në nivel të zëvendësministrave të jashtëm të pesë vendeve.
/Argumentum.al