Ndërron jetë mëngjesin e sotëm një pacient që ndodhej i shtruar te Sanatoriumi dhe që ishte prekur nga COVID-19.
“60-vjeçari R.K nga Tirana ishte i shtruar në reanimacion prej dy javës në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (Diabet Melitus, Kardiopatia Hipertensive, Nefropatia Diabetike, Obezitet)” njofton ministria e Shëndetësisë.
Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, 60-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe bën thirrje të gjithë qytetarëve të vazhdojnë të respektojnë rregullat e vendosura.
Deri tani 28 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19, pavarësisht punës së madhe të stafeve mjekësore të spitaleve COVID.
Ndërkohë në Shqipëri ka shkuar në 712 numri i të prekurve në vend nga Covid-19, kjo pasi një ditë më parë u infektuan 34 persona të tjerë, ku 18 ishin në Krujë.