Në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mori të martën në Berat titullin e lartë “Patron i Kalasë”. Ajo ka mbërritur në mesditë në qytetin muze, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe personalitete të larta të qeverisë së Kosovës.
Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, i ka dorëzuar presidentes së Kosovës Osmani titullin “Patron i Kalasë” së Beratit, titulli më të lartë ekzekutiv që i jepet personaliteteve të shquara, titull ky i miratuar me unanimitet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak Berat.
Si Patrone e Kalasë së Beratit Osmani u zotua për promovimin e saj gjithandej nëpër botë.
”Kalatë nuk janë thjeshtë vetëm kala shekullore, janë kujtesa jonë kolektive pasi përgjatë historisë kalatë kanë luajtur një rol të rëndësishëm për historinë e çdo populli. Kjo kala duhet të mbrohet nga çdo brez dhe qoftë simbol i unitetit mes nesh”-,ka thënë Osmani.
Ndalesa tjetër e presidentes së Kosovës ishte në Durrës ku Osmani zhvilloi një takim me Kryetaren e Bashkisë, Emiriana Sako dhe më pas edhe një vizitë në pikën doganore të Kosovës në portin e Durrësit.
Në faqen e saj zyrtare, Osmani njoftoi se shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i ka dorëzuar Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
“Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës! Rrëfimet tuaja le të vazhdojnë ta pushtojnë botën duke na kujtuar fuqinë e letërsisë për t`i formësuar perspektivat, sfiduar normat dhe nxitur dialogun!”, shkruan Osmani.
/Argumentum.al