Grupi parlamentar i CDU-CSU në Bundestagun gjerman, që kryesohet nga partia e kancelares Angela Merkel ka dënuar veprimin e opozitës për djegien e mandateve.
Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për zgjerimin dhe çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman Florian Hahn deklaron se Shqipëria po humbet besimin e partnerëve europianë me veprimet e fundit të opozitës.
“Shqipëria për momentin është duke luajtur shumë me kredibilitetin tek miqtë evropianë. Në rast se perspektiva për çeljen e negociatave për në BE në mesin e vitit të kaluar ishte ende rozë, tani po shfaqen re të zeza. Protestat e aktuale në Tiranë pengojnë qeverinë, si dhe paralizojnë funksionimin e parlamentit. Protestat dhe demonstrtratat bëjnë pjesë tek të drejtat e njeriut dhe janë një tipar dallues i demokracisë, në rast se ato zhvillohen në mënyrën e duhur.
Por deputetët e partive tona partnere në Shqipëri i bëjnë një shërbim të keq (autogol) qëllimit të tyre, nëse nëpërmjet dorëzimit masiv të mandateve do të shkaktojnë një stanjacion politik dhe do të nxisin protesta të dhunshme. Një qëndrim refuzues nuk i shërben as vendit, as qytetarëve. Prandaj ju bëj thirrje miqve tanë në Shqipëri për vetëpërmbajtje. Qeveria dhe opozita duhet të zhvillojnë menjëherë bisedime, në mënyrë që të rifillojë funksionimi i parlamentit dhe të rivendosen marëdhënie të qarta. Perspektiva evropiane është vënë në rrezik”, thuhet në deklaratë.