Kreu i PD-së Lulzim Basha ka lënë të kuptohet se opozita mund të braktisë bisedimet për Reformën Zgjedhore.
Pas një takimi me ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri, Basha tha se opozita nuk mund të jetë fasadë e shumicës socialiste për reformën zgjedhore.
Duke iu referuar shembjes së Teatrit Kombëtar në shkelje të ligjit, shumica socialiste po tregon se nuk ka vullnet as për reforma dhe as për të çuar vendin përpara:
“Kemi bërë të qartë që opozita nuk mund të jetë fasadë dhe përgjegjësia për mbarëvajtjen e Reformës Zgjedhore është e PS-së, fasadë nuk mund të jemi.
Kjo nuk varet nga ne, rikthimi në Këshillin Politik. Vullneti nuk shprehet me fjalë, por me veprat, veprat e mazhorancës tregojnë që nuk ka vullnet.”
Përfaqësuesit e opozitës, Bylykbashi dhe Vasili bojkotuan takimin e 18 majit për reformën.
Por ndërkombëtarët këtë e shohin si një sebep për të zvarritur reformën zgjedhore.
Burime të Argumentum.al nga trupi diplomatik në Tiranë bëjnë me dije se ka një mungesë vullneti nga të gjitha palët për të përmbyllur Zgjedhoren.
Për këtë qëllim Ambasadorja e SHBA në Tiranë ka nisur një tur takimesh kë krerët e politikës të gjejnë vullnetin për të përmbyllur reformën.
Yuri Kim gjatë ditës së sotme ka takuar kryeministrin e vendit Edi Rama dhe gjatë bisedës është folur veç të tjerave dhe për ecurinë e Reformës Zgjedhore.
Kim bëri me dije se do të ketë një takim edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe me kryetaren e partisë tjetër opozitare Monika Kryemadhi.
Ndërkombëtarët të cilat janë investuar seriozisht për t’i dhënë fund procesit të reformës zgjedhore e cilësojnë të pakuptimtë stopimin e procesit dhe shohin bojkotin si një shkak për ta shtyrë në kalendat greke këtë proces.
h.e./Argumentum.al