Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të mërkurën se ka pranuar që vendi të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, pasi mori ftesë nga udhëheqësi amerikan, Donald Trump.
“Me krenari të madhe e kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, tha Osmani për media.
Ajo shtoi se Kosova, sado e vogël, “mund të japë kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”.
Bordi i Paqes – i themeluar në fund të vitit të kaluar sipas planit të Trumpit për Gazën, synon zgjidhjen e konflikteve globale.
Ky bord pritet të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian.
Më herët gjatë ditës, Osmani shkroi në Facebook se e kishte marrë një ftesë nga Trump për të qenë pjesë e këtij bordi.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-në në misionin për një botë më të sigurt”, shkroi Osmani në Facebook.
Osmani tha se udhëheqja e guximshme e ndërton paqen dhe nuk flet thjesht për paqen, dhe kjo është, sipas saj, pikërisht ajo që po bën presidenti amerikan”nëpërmjet kësaj iniciative historike”.
Presidentja kosovare tha se SHBA-ja solli paqen në Kosovë dhe Kosova sot është aleate “e palëkundur e saj për ta çuar paqen më tej”.
“Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shkroi ajo.
Në letrën e Trumpit, që mban datën 20 janar, thuhet se më 29 shtator të vitit 2025 ai njoftoi për Planin gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, përmes një plani 20-pikësh “që shpejt u mbështet nga të gjithë liderët botëror”. Aty përmendet edhe një rezolutë e Kombeve të Bashkuara që mbështet këtë plan.
“Tani është koha që t’i bëjmë këto ëndrra realitet. Në zemër të planit është Bordi i Paqes, që është bordi më mbresëlënës i themeluar ndonjëherë”, thuhet në letrën e Trumpit.
Trump thotë se pret që të punojë me Osmanin për “shumë kohë në të ardhmen, drejt arritjes së qëllimit për paqe të qëndrueshme botërore, mirëqenie dhe madhështi për të gjithë”.




























































