Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se një delegacion amerikan pritej të mbërrinte në Moskë, javën e ardhshme për të diskutuar propozimin e fundit amerikan për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit në Ukrainë, sipas “abc News”.
Duke folur sot në një konferencë për shtyp gjatë një vizite në Bishkek, Kirgistan, Putin tha se nuk kishte rënë dakord për asnjë draft marrëveshje paqeje – në bisedimet e fundit midis SHBA-së dhe Ukrainës – por vetëm për një listë çështjesh që do të diskutoheshin.
Putini tha gjithashtu se ishte e pakuptimtë të nënshkruhej ndonjë dokument me udhëheqjen aktuale të Ukrainës, duke pretenduar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk kishte legjitimitet për ta bërë këtë.
Në një seri deklaratash të ashpra – në fjalimin e tij për planin e paqes të propozuar nga SHBA-ja – presidenti Putin përsëriti disa nga kërkesat më të ashpra të Rusisë, duke përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga territori që Moska pretendon.
Putini përjashtoi nënshkrimin e çdo marrëveshjeje armëpushimi përpara tërheqjes së trupave ukrainase.
“Nëse trupat e Ukrainës largohen nga territori i pushtuar, atëherë veprimi ushtarak do të ndalet. Nëse ata nuk largohen, atëherë ne do ta arrijmë këtë me forcë të armatosur”, tha presidenti rus.
Ai tha gjithashtu se njohja e pushtimit rus – të Krimesë, Donbasit dhe një pjese të Ukrainës lindore dhe jugore – duhej të ishte pjesë e negociatave me SHBA-në.
Putini shfaqi besim në lidhje me pozicionin e Rusisë në fushën e betejës, duke pretenduar se kishte një “dinamikë pozitive” kudo në front.
Presidenti rus tha se Rusia ishte e gatshme, në parim, të luftonte deri në ukrainasin e fundit.
Përpara udhëtimit të planifikuar të Witkoff në Moskë javën e ardhshme, Putini tha se propozimet e fundit amerikane për paqe – mund të ishin baza për marrëveshjet e ardhshme.
“Në përgjithësi, ne shohim se pala amerikane po e merr parasysh qëndrimin tonë. Në disa zona, ne patjetër duhet të ulemi dhe të diskutojmë seriozisht çështjet specifike”, tha presidenti Putin.
/Argumentum.al




























































