Kryeministri Edi Rama u shpreh se nisma “Ballkani i Hapur” u konsiderua si “një ide e tmerrshme” vetëm për një arsye, se ajo u mbështet nga ai dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye se unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, të themi, pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, tha Rama në një intervistë për Euronews Serbia.
Duke komentuar bashkëpunimin e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Rama tha se Vuçiç “është gjithmonë një partner i vështirë”.
Rama vlerësoi gjithashtu transformimin e Malit të Zi.
“Mali i Zi ka qenë i jashtëzakonshëm në mënyrën se si është transformuar, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelen; e respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, tha Rama në intervistën, e cila do të transmetohet e plotë nesër.
Sipas Ramës, Evropa sot ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën. /Euronews Albania/





























































