Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “procesin e Këshillimit Kombëtar e mbyllëm me një shifër përtej parashikimeve tona me mbi gjysmë milion qytetarë”.
Në një konferencë për shtyp për të prezantuar rezultatet e Këshillimit Kombëtar bashkë me drejtoren e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano, Rama theksoi se “ky proces ka qenë i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës dhe intensiteti i komunikimit me qytetarët, ka pasur në këtë proces një interferencë të padëshiruar, që lidhet me mbarë me botën dhe me gjëra shumë më të rëndësishme në këtë moment për qytetarët sa i përket ekonomisë së tyre familjare dhe jetës së përditshme ekonomike të vendit”.
“Ajo që është me rëndësi është që edhe gjatë kësaj interference të luftës në Ukrainë që ka spostuar natyrshëm fokusin dhe vëmendjen kemi vazhduar të kemi shumë pjesëmarrje dhe e kemi mbyllur Këshillimin Kombëtar me një shifër përtej parashikimeve tona me mbi gjysmë milion qytetarë”, tha Rama.
“Jam me drejtoren Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, agjenci që ka organizuar e drejtuar procesin dhe falë edhe përfshirjes së INSTAT si një shërbim për këtë proces me cilësi dhe profesionalizëm kemi arritur që ta përfundojmë Këshillimin Kombëtar me një rezultat pozitiv”, tha Rama.
“Rezultati pozitiv është pjesëmarrja. Kemi edhe gjëra që duhen përmirësuar si herë e parë ishte natyrshëm me shumë të panjohura edhe për ne vetë por faktikisht ajo që është më e rëndësishme që gjithë atyre qytetarë që morën pjesë pavarësisht opinioneve të tyre t’u kthejmë besimin, t’u shpërblejmë besimin, t’u japim mbrapsht atë që meritojnë, përkushtimin dhe angazhimin tonë, që zëri i tyre të dëgjohet me respekt dhe që opinionet e tyre të kthehen në plane konkrete zbatimi në atë drejtim që ata na kanë orientuar me pjesëmarrjen e tyre”,- nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “do të shohim për me tutje se si do të procedojmë në këtë aspekt, ka një sërë elementësh që meritojnë vëmendjen tonë e diskutimin e brendshëm ashtu si dhe ka një sërë sugjerimesh e ankesash të bëra nga vetë qytetarët që na kanë bërë të mendohemi dhe do t’i shohim me shumë vëmendje që ti kthejmë në një avantazh të përbashkët. Edhe në hartimin e pyetjeve qytetarët kanë kërkuar të kenë më shumë zë ne do të mundohemi të gjejmë mënyrën që edhe në hartimin e pyetjeve t’u japim mundësi qytetarëve të bëjnë propozimet e tyre”.