Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon u ka bërë thirrje LDK-së që të anulojë mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Ajo ka paralajmëruar fatkeqësi për tërë rajonin, nëse në Kosovë iniciohet mocioni për mosbesimin e qeverisë.
“Nëse LDK-ja paraqet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, pjesë e së cilës është, atëherë një gjë e tillë do të nënkuptonte katastrofë, jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin”, ka shkruar në “Twitter” .
“Partneri I koalicionit në qeverinë e Kosovës, LDK-ja ka njoftuar se do të iniciojë mocion votëbesimi ndaj qeverisë Kurti e cila ka marrë detyrën para më pak se 50 ditë. Presidenti Hashim Thaçi gjithashtu dëshiron që të përdorë koronavirusin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme jo vetëm që të fitojë më shumë pushtet por të shfrytëzojë këtë moment për të larguar nga pozita kryeministrin Albin Kurti”, ka thënë Von-Cramon.