Rusia i reagon ashpër Maqedonia e Veriut pas dëbimit të diplomatëve: Hap armiqësor, do të ketë masa

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar ndaj vendimit të MPJ-së për dëbimin e pesë diplomatëve rusë, me çka praktikisht është bllokuar puna e ambasadës në Shkup.

Për Rusinë, kjo lëvizje, e cila është më masive në serinë e dëbimeve të diplomatëve rusë nga Shkupi, është dëshmi se Maqedonia funksionon nën rendin e huaj, nuk ka më sovranitet dhe vepron kundër vullnetit të qytetarëve dhe interesave të tyre.

“Më 28 mars, pesë diplomatë nga ambasada ruse u shpallën persona non grata. Ky hap armiqësor është vazhdimësi e kursit drejt prishjes së marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë, të ndërmarrë nga autoritetet maqedonase. Do të detyrohemi të marrim masa reciproke. Duke iu bashkuar histerisë rusofobike të nisur nga Perëndimi, Shkupi ka riafirmuar edhe një herë gatishmërinë e tij për të sakrifikuar në mënyrë të pamatur sovranitetin dhe për të marrë vendime që bien ndesh me ndjenjat publike dhe në kundërshtim me interesat e rrënjosura kombëtare”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova./ Alsat.mk