Ndaj gazetarit të burgosur të gazetës amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, janë ngritur akuza për spiunazh në Rusi dhe ai deklaroi zyrtarisht pafajësinë në një gjykatë ruse, njoftuan të premten dy agjenci ruse të lajmeve.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tass dhe agjencia e lajmeve Interfax thanë se një burim i forcave të zbatimit të ligjit i informoi ato se Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi, i njohur si FSB, ka akuzuar zyrtarisht gazetarin amerikan.
Mediat nuk thanë se në çfarë forme u akuzua zyrtarisht gazetari Gershkovich ose kur ndodhi kjo, por në përgjithësi të dyshuarve u paraqitet një dokument që detajon akuzat.
Në sistemin ligjor rus, ngritja e akuzave dhe një përgjigje nga i akuzuari përfaqësojnë fillimin zyrtar të një hetimi penal, duke nisur atë që mund të jetë një proces gjyqësor i gjatë dhe i fshehtë.
Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi burimin e saj të thoshte se: “FSB-ja ka ngritur akuza për spinuazh në interes të vendit të tij ndaj gazetarit Gershkovich. Ai i mohoi kategorikisht të gjitha akuzat dhe deklaroi se ishte i angazhuar në aktivitete gazetareske në Rusi”.
Burimi nuk pranoi të bënte komente të mëtejshme sepse rasti konsiderohet sekret.
Autoritetet ruse e arrestuan 31 vjeçarin Gershkovich në Yekaterinburg, qyteti i katërt më i madh i Rusisë, më 29 mars. Ai është korrespondenti i parë amerikan që nga Lufta e Ftohtë që arrestohet nën dyshimet për spiunazh.
FSB-ja akuzoi posaçërisht zotin Gershkovich se po përpiqej të merrte informacion të klasifikuar në lidhje me një fabrikë ruse të prodhimit të armëve. Gazeta Wall Street Journal i ka mohuar akuzat.
Rasti ka shkaktuar reagime ndërkombëtare. Të enjten, ambasadorja amerikane në Rusi dhe një diplomat i lartë rus u takuan për ta diskutuar këtë çështje.
Në takimin me ambasadoren amerikane, Lynne T. Tracy, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov theksoi “natyrën serioze të akuzave” kundër zotit Gershkovich, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.
Deklarata përsëriti pretendimet e mëparshme ruse se gazetari “u kap në flagrancë ndërsa përpiqej të merrte informacione sekrete, duke përdorur statusin e tij të gazetarit si mbulesë për veprime të paligjshme”.
Avokatët që përfaqësojnë gazetarin Gershkovich u takuan me të të martën për herë të parë që nga ndalimi i tij, tha kryeredaktorja e gazetës Wall Street Journal, Emma Tucker.
Zonja Tucker tha se gazetari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe “është mirënjohës për mbështetjen e madhe nga e gjithë bota. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm”.
Në bazë të një urdhëri gjykate, Evan Gershkovich do të mbahej pas hekurave për dy muaj në Rusi, në pritje të një hetimi. Një gjykatë në Moskë tha të hënën se kishte marrë një apelim nga avokatët mbrojtës lidhur me arrestimin e tij. Apelimi pritet të shqyrtohet nga gjykata më 18 prill, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve./VOA