Sejko me zv.drejtorin e FMN-së: Ekonomia e Shqipërisë do rritet, pavarësisht inflacionit

Në një takim me zv.drejtorin e FMN, Bo Li, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar se ekonomia e Shqipërisë do të vijojë të rritet pavarësisht inflacionit të lartë.

Banka e Shqipërisë tha Sejko, ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit 3 herë gjatë këtij viti, për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Për sa i përket sistemit bankar, guvernatori u shpreh se vitet e fundit ky sistem ka pasur një konsolidim të mëtejshëm, karakterizuar nga tregues të qëndrueshëm financiarë dhe likuiditet i bollshëm për të mbështetur zhvillimin e vendit.

Ndërkohë, sipas zëvendësdrejtorit të FMN-së, Bo Li, vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tri goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarë botërore dhe rritja e theksuar e çmimit të energjisë dhe ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë e megjithatë vendi ka vazhduar progresin e tij, falë edhe masave të ndërmarra.

“Banka e Shqipërisë me të drejtë ka nisur procesin e normalizimit të politikës monetare në vitin 2022 për të mbajtur në kontroll presionet inflacioniste”, u shpreh Li.

Ai nënvizoi se pavarësisht sfidave botërore dhe efekteve të tyre lokale, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave të mëtejshme me qëllim adoptimin dhe përafrimin me standardet e BE-së.