Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dënoi sulmet e reja të Iranit ndaj vendeve arabe të Gjirit, duke i cilësuar ato si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se këto veprime përshkallëzojnë më tej tensionet, minojnë stabilitetin rajonal dhe përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ministri u shpreh se vazhdimi i qasjes konfrontuese nga ana e Iranit, së bashku me mungesën e angazhimit konstruktiv dhe në mirëbesim me Shtetet e Bashkuara për adresimin e çështjeve të mbetura pezull, përfshirë programin bërthamor, tregon mungesë vullneti për dialog dhe de-përshkallëzim.
“Këto zhvillime janë thellësisht shqetësuese, por fatkeqësisht nuk janë befasuese”, u shpreh Hoxha.
Ai rikujtoi se Shqipëria ka qenë dhe vijon të jetë objekt i sulmeve të vazhdueshme kibernetike, operacioneve të ndikimit dhe aktiviteteve të tjera hibride, të cilat, sipas tij, i atribuohen Iranit dhe synojnë të cenojnë institucionet dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Hoxha shprehu solidaritetin e Shqipërisë me të gjitha vendet e prekura nga këto sulme, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin, integritetin territorial, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.





























































