Spektri politik shqiptar si i mazhorancës ashtu edhe i opozitës ka dënuar me deklarata të veçanta sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit.
“Ne mbetemi të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, tha të shtunën në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha: “Kuvendi i Shqipërisë dënon ashpër sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit dhe qëndron pranë popullit izraelit në këto momente të vështira”.
“Lutjet, mendimet dhe mbështetja jonë shkojnë për viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre në Izrael”, tha Kryeparlamentari.
Në një tjetër aktivitet, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar të shtunën një takim me ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg. Balla theksoi në një reagim se i shprehu ambasadorit Peleg solidaritetin e Shqipërisë me popullin izraelit, ndërkohë që vazhdojnë sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit.
“Shqipëria, nëpërmjet kryeministrit Edi Rama, i dënoi ashpër këto sulme terroriste dhe mban një qëndrim të fortë kundër terrorizmit”, nënvizoi Balla, i cili shtoi se lutjet e shqiptarëve janë për viktimat e këtij sulmi të pabesë, për familjet e tyre dhe për mbarë Izraelin.
/Argumentum.al