Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, po përballet me reagime gjithnjë e më të ashpra brenda dhe jashtë vendit pas një sërë komentesh të gabuara që bëri në lidhje me Tajvanin e Kinës. Komentet, të cilat shihen gjerësisht si përshkallëzim i tensioneve dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës, kanë shkaktuar protesta në shkallë të gjerë në Tokio dhe janë kritikuar ashpër nga ekspertët ndërkombëtarë.
Të shtunën, qindra japonezë u mblodhën në distriktin Shinjuku të Tokios, duke organizuar një demonstratë për të kërkuar që Takaichi të tërheqë deklaratat e saj.
Disa demonstrues e dënuan drejtpërdrejt atë që e shohin si një “deklaratë lufte”. Një protestuese tha se e kishte “plotësisht të pamundur të toleronte” retorikën e Takaichi-t, që e portretizon në mënyrë të rreme Kinën si armike dhe sinjalizon përgatitje për përballje ushtarake. Një tjetër e akuzoi Takaichi-n se kishte shpërfillur qëllimisht konsensusin e gjatë të krijuar që nga normalizimi i marrëdhënieve diplomatike Kinë-Japoni në vitin 1972, duke i krahasuar veprimet e saj me incidentet historike që hapën rrugën për luftërat e kaluara të agresionit të Japonisë.
Foto nga CMG
Disa protestues e lidhën qëndrimin e Takaichi-t me ringjalljen e ideologjisë së paraluftës, duke paralajmëruar se retorika e saj pasqyron mendësinë ekspansioniste të epokës perandorake. Ata shprehën alarmin që Japonia mund të jetë përsëri duke u zhvendosur drejt armatimit bërthamor, duke braktisur parimet e pasluftës që kanë mundësuar dekada paqeje.
Të tjerë theksuan se i ashtuquajturi pretendim për emergjencë të Tajvanit përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës dhe shërben si pretekst për agresion. Disa folës nënvizuan se situata e pazgjidhur ndërmjet dy brigjeve të Ngushticës së Tajvanit është e rrënjosur në veprimet historike të vetë Japonisë. Shumë arritën në përfundimin se parandalimi i një rrëshqitjeje drejt militarizmit kërkonte jo vetëm një tërheqje, por edhe largimin e administratës së Takaichi-t.
Foto nga VCG
Komentet e Takaichi-t kanë ngjallur shqetësim edhe në bashkësinë ndërkombëtare. Ekspertët e huaj paralajmërojnë që Japonia po minon qëndrueshmërinë rajonale dhe po shkel normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Houmed M’Saidie, këshilltar politik i presidentit të Komoreve, tha se komentet e kryeministres japoneze përbëjnë një ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Kinës dhe sfidojnë parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Ai theksoi që Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës, një pozicion “i njohur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe i mbështetur nga të gjitha vendet që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Pekinin”.
Paul Zilungisele Tembe, themelues dhe drejtor i platformës dhe qendrës kërkimore “Takimet ndërmjet qytetërimeve SELE” në Afrikën e Jugut, dha një mendim të ngjashëm. Ai tha gjatë një interviste me CGTN-in që sjellja e Japonisë mund të përshkruhet me saktësi si “provokim”, “shkelje” dhe “ndërhyrje” .
Ndërsa kreu i Degës Afrikanojugore të Sipërmarrësve të Rinj të Afrikës Imram Makama u shpreh që komentet e Takaichi shpërfillin angazhimet e Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore, një prirje që ai e përshkroi si “thellësisht shqetësuese”, veçanërisht për brezat e rinj. Ai theksoi se rendi ndërkombëtar i pasluftës i ka siguruar botës dekada qëndrueshmërie e zhvillimi dhe se çdo retorikë që mbart nuanca militariste ose provokuese duhet të merret seriozisht./CGTN





























































