Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha sot se seanca e datës 21 Shkurt nuk do të zhvillohet duke marrë parasysh apelin e partnerëve ndërkombëtarë dhe informacioneve të fundit nga policia e shtetit për skenarë dhune.
“Duke pasur parasysh apelin e partnerëve, ftoj kolegët deputetë të na mirëkuptojnë për të mos zhvilluar seancën plenare të datës 21 shkurt në orën 10:00. Nuk e gjykoj të udhës, dhe ndjej trishtim dhe dhimbje që një pjesë e deputetëve të jenë në sallë dhe një pjesë tjetër përballë saj”, tha Ruçi, në një konferencë për mediat nga Kuvendi i Shqipërisë.
Deklarata e Ruçit vjen pak orë përpara mbajtjes së protestës së paralajmëruar nga opozita përpara parlamentit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit tha pak më herët të mërkurën se nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. “Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”, tha policia.
“Sigurisht që ndoqa nga afër për 5 orë rresht protestën e datës 16 Shkurt dhe po ndjek me shumë vëmendje vendimet e grupeve parlamentare të opozitës për djegie të mandateve parlamentare. Po ndjek po ashtu me vëmendje vendimin për përgatitjen e opozitës për protestën e datës 21 shkurt pranë sallës së Kuvendit, në të njëjtën orë dhe datë me seancën parlamentare. Jemi të gjithë dëshmitarë të një momenti të acarimit politik që i ka kushtuar shumë vendit. Pamjet e dhunës tek kryeministria kanë bërë xhiron e botës”, tha Ruçi.
“Kush ka bërë plane për të kaluar pushimet verën e ardhshme në Shqipëri sigurisht që është stepur. Ato pamje nuk janë inkurajuese as për investitorët dhe as për konsumatorët. Pamjet e dhunës kanë pasojë të dëmshme edhe për proceset integruese të vendit në një kohë që vendi pret hapjen e negociatave.”