Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se marrëdhëniet Britanisë së Madhe me Kinën kanë kaluar nga epoka e artë në epokën e akullit, lidhur me një vizite në Pekin këtë javë, me synimin për të zbutur tensionet dhe për të rindërtuar lidhjet dypalëshe.
Starmer shkon sot në Kinë duke u përpjekur të rifillojë dialogun pas përkeqësimit të marrëdhënieve kino-britanike në vitet e fundit të qeverisjes konservatore. Në një mbledhje të kabinetit, ai theksoi se ”qeveria do të ndjekë një qasje strategjike dhe të qëndrueshme”.
Kryeministri britanik pranoi se ekzistojnë mundësi të rëndësishme biznesi në marrëdhëniet me Pekinin, por nënvizoi se siguria kombëtare e Britanisë së Madhe mbetet e panegociueshme.
Kjo është vizita e parë e një kryeministri britanik në Kinë që nga udhëtimi i Theresa May në vitin 2018.
Starmer do të shoqërohet nga përfaqësues të biznesit, ndërsa argumentoi se Britania e Madhe po humbiste mundësi duke mos u angazhuar me Kinën, në një kohë kur liderë të tjerë perëndimorë kanë zhvilluar vizita në Pekin.
Udhëtimi vjen mes shqetësimeve për spiunazhin kinez, sigurinë kibernetike, trajtimin e pakicës ujgure dhe rastin e Jimmy Lai, aktivistit pro demokracisë në Hong Kong dhe shtetas britanik, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se pesë vitesh.
Ish-guvernatori i Hong Kongut, Chris Patten, i bëri thirrje kryeministrit Starmer të flasë hapur me udhëheqësit kinezë duke theksuar se përmirësimi i marrëdhënieve me Pekinin është i nevojshëm, por duhet të bëhet me kujdes dhe pa iluzione për sjelljen e Kinës në arenën ndërkombëtare.
/Argumentum.al


























































