Sulmet kibernetike nga Irani, Sekretari Blinken telefonatë me Ramën

Ambasada amerikane në Tiranë, njoftoi sot se Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken kishte patur një ditë më parë një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama. “Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë më 15 korrik”, theksohet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, të shpërndarë nga ambasada.

Sipas deklaratës “Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale”.

Telefonata mes Sekretarit Blinken dhe kryeministrit Rama, pason një seri deklaratash të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Shqipërisë, ndërsa ekspertë të FBI-së u angazhuan në hetimin e sulmit masiv kibernetik që goditi sistemet informatike të Qeverisë shqiptare në korrik.

Shtëpia e Bardhë, përkrahu menjëherë vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e bërë atë përgjegjës për sulmin e 15 korrikut. Më pas, Këshilltari i Presidetit Biden për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin Rama, gjatë së cilës u theksua ndër të tjera se “të dy vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar masat e sigurisë kibernetike”.

Të premten e kaluar Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke ju referuar sulmit ndaj Shqipërisë.

Pak orë pas kësaj mase nga Uashingtoni, sistemet e policisë shqiptare, përfshirë atë të hyrje-daljeve të qytetarëve dhe automjeteve nga vendi, u goditën nga një tjetër sulm, për të cilin autoritetet shqiptare thanë se ishte realizuar “nga të njëjtët agresorë”.

Edhe në këtë rast Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dënoi sulmin duke vënë sërish në pah se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara po ndihmon Shqipërinë të zbusë pasojat dhe të rikthejë funksionimin e sistemit”./VOA