TAP Fillon Transportimin e Sasisë së Parë të Gazit/ Meta: Rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe ekonominë kombëtare

Pas fillimit të operacioneve komerciale në 15 nëntor 2020, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) AG konfirmoi sot fillimin e transportit të gazit nga Azerbajxhani. Sasia e parë e gazit mbërriti në Greqi dhe Bullgari, përmes pikës së interkonjeksionit të Nea Mesimvrias me DESFA-n, si edhe në Itali, përmes pikës së interkonjeksionit të Melendunjos me SNAM Rete Gas (SRG).

Luca Schieppati, Drejtori Menaxherial i TAP-it, tha: “Sot është një ditë historike për projektin tonë, po ashtu edhe për vendet tona pritëse e tregun energjetik të Evropës. TAP-i është një pjesë thelbësore e rrjetit të gazit në kontinent, duke kontribuar në hartën e transportit të energjisë. Ne ofrojmë një linjë transporti të sigurtë, direkte dhe me kosto të ulët në vendet e Evropës Juglindore e më gjerë.”

Marija Savova, Drejtore Komerciale e TAP-it, shtoi: “Fillimi i shpërndarjes së gazit është një moment historik për tregun e gazit në Evropë. Teksa presim me padurim t’iu shërbejmë transportuesve të gazit në muajt e vitet që do të vijnë, presim me padurim të fillojmë gjithashtu fazën e dytë të testimit të tregut në verë, çka do të mundësojë zgjerimin e TAP-it në të ardhmen, duke dyfishuar kapacitetin e gazsjellësit në 20bcm/a.”

TAP-i është një Operator Sistemi Transmetimi, i cili iu ofron kapacitet transportuesëve që janë të interesuar të transportojnë gaz natyror në tregjet e shumta të Evropës. Si një linjë e re e importit të gazit, Korridori Jugor i Gazit përforcon sigurinë e sektorit energjetik të Evropës, integrimin e tregut të saj, si edhe përpjekjet e BE-së për dekarbonizim.

Presidenti i Republikës Ilir Meta përshëndet realizimin e Korridor Jugor të Gazit, pjesë thelbësore e Projektit TAP

Sipas kreut të shtetit, ky korridor është me rëndësi të madhe për rajonin e veçanërisht për Shqipërinë, me efekte afatgjata në ekonominë kombëtare.

Ilir MetaPërshëndes realizimin me sukses të Korridorit Jugor të Gazit, iniciativë e Komisionit Europian dhe pjesë thelbësore e Projektit TAP.

Vendosja tërësisht operacionale e Korridorit Jugor të Gazit, është me rëndësi të madhe për rajonin, në veçanti për Shqipërinë, jo vetëm për sektorin e energjisë dhe gazifikimin, por edhe për efektet shumë pozitive në ekonominë kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Denizit në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të shumtë. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit me Greqinë. Kjo në këmbim do të lehtësojë rritjen e shkallës së penetrimit të gazit natyror në vend. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të mëtejshme për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurtë në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.

©  Argumentum

Related Posts

Na ndiqni

Regjistrohu

Merr në Email Revistën Argumentum

Të fundit

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Add New Playlist