Një brez i ri nacionalistësh etnikë serbë po përgatitet për një luftë në Bosnje, shkruan The Telegraph.
Qindra militantë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar përkrah trupave ruse, me bindjen se “Nëna Rusi” do t’ua kthejë borxhin duke i ndihmuar të rimarrin territore serbe të humbura, si Kosova.
Nacionalistët, mes tyre edhe veteranë të Luftës së Bosnjës, po përdorin rrjetet sociale për të nxitur të rinjtë serbë t’u bashkohen në Rusi. Disa po ofrojnë deri në 23 mijë paund për t’u regjistruar dhe për të luftuar në Ukrainë.
Ekzistojnë frikëra se, sapo të kthehen në Bosnje, ata mund të nxisin një konflikt paramilitar, 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Bosnjës.
Dario Ristić është një rast tipik. Nacionalisti serb, që ecte me vështirësi mbi një këmbë protezë dhe mbante dëshmi të shtetësisë së tij të sapofituar, u kthye në Bosnje pasi ishte plagosur duke luftuar në Ukrainë me një njësi ruse të njohur si “Arinjtë e Permit”.
Në Ukrainë, Ristić njihej me pseudonimin ironik “Speedy” dhe për kryerjen e sulmeve me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka.
Ai përmirësoi aftësitë e tij në rrjetet sociale si TikTok dhe rrjeti rus VKontakte, duke mobilizuar mbështetje nga të rinj serbë politikisht të zhgënjyer në atdhe, përmes glorifikimit të luftës në vijën e frontit dhe përhapjes së mesazheve nacionaliste.
Njësia e tij ruse madje i dërgoi një kartolinë urimi për ditëlindje Ratko Mladićit, kriminelit të luftës që po merr kujdes paliativ në Hagë, ku është dënuar me burgim të përjetshëm për krime kundër myslimanëve boshnjakë.
Në një video të postuar në Telegram, Ristić shfaqej pranë një serbi tjetër, i cili i drejtohej audiencës në atdhe: “Kur të përfundojmë punë me këta fashistë të NATO-s këtu, do të kthehemi për të rimarrë faltoret tona dhe atë që është e jona. Lavdi Zotit, lavdi Nënës Rusi – drejt fitores!”
Pas kthimit, Ristić u arrestua në aeroportin e Sarajevës për pjesëmarrje në një njësi paramilitare të huaj, por më pas u lirua dhe u vendos në arrest shtëpie, në pritje të përfundimit të gjykimit.
Kur The Telegraph e kontaktoi në shtëpinë e tij në Modriçë, ai tha nga pragu i derës: “Do të doja të flisja me ju. Por ligji ma ndalon të flas, ndoshta në të ardhmen.”
Edhe tani, larg frontit, ai konsiderohet rrezik i madh rekrutimi, me më shumë se 10 mijë ndjekës online.
Atij i bashkohen në internet edhe nacionalistë të tjerë serbë që përpiqen të përhapin mesazhin e tyre.
Në thelb, bëhet fjalë për një grup të fortë veteranësh të Luftës së Bosnjës që vazhdojnë të ngulitin ideologji përçarëse tek të rinjtë.
“Është bindje e përhapur mes këtyre ekstremistëve se Nëna Rusi një ditë do ta shlyejë borxhin me gjak, duke ndihmuar rikthimin e Serbisë së Madhe,” thotë Srecko Latal, analist rajonal.
“Numri i tyre është i vogël, por ata tërheqin të rinj të pakënaqur që janë të ndjeshëm ndaj mesazheve nacionaliste. Ashtu si IRA-ja e dikurshme në Irlandën e Veriut, nuk duhen shumë njerëz të armatosur për të rrezikuar ekuilibrin e paqes.”
Një veteran i njohur, me ndikim paternalist mbi luftëtarët e rinj, përfshirë Ristićin, është Davor Saviçiç, i njohur si “Ujku”. Gjatë luftërave jugosllave të viteve ’90 ai luftoi në njësinë paramilitare elitare “Tigrat e Arkanit”, përgjegjëse për dhjetëra krime kundër civilëve. Kur Rusia hyri në luftë me armiqtë e saj të perceptuar, Saviçiç iu bashkua shpejt, duke luftuar në Krime dhe Siri, si pjesë e grupit tashmë të shpërbërë Wagner.
Pas një trajtimi të fundit për një plagë nga copëzat e predhave ukrainase, raporte mjekësore të rrjedhura zbuluan se ai ishte gjithashtu kolonel në GRU, shërbimin ushtarak të inteligjencës ruse, i njëjti i përfshirë në sulmin me Novichok në Britani në vitin 2018 kundër Sergei Skripalit.
Nën drejtimin e tij, GRU ka krijuar kompani fasadë në sektorë si ndërtimi, për t’i ndihmuar serbët dhe vullnetarët e tjerë të shmangin zbulimin nga autoritetet e tyre, duke lëshuar leje pune dhe duke organizuar udhëtime përmes vendeve të treta.
“Ne u infiltruan në shërbimet e tyre të mesazheve duke u paraqitur si vullnetarë,” tha Nino Bilajac, gazetar investigativ nga Sarajeva.
“Shumat e ofruara janë rritur, pasi humbjet në fushëbetejë e kanë bërë Rusinë më të dëshpëruar për luftëtarë të rinj. Mua më është ofruar një pagesë paraprake rreth 23 mijë paund dhe një pagë mujore gati 2.500 paund.”
Për të rinjtë e rritur në familje nacionaliste, në qytete si Modriça, me papunësi të lartë dhe paga rreth 500 paund në muaj, tundimi është i qartë. Ligjet në Serbi dhe Bosnje ndalojnë luftimin për një fuqi të huaj dhe parashikojnë dënime deri në pesë vjet, por zbatimi është i rrallë.
Kur u kontaktua në rrjete sociale nga The Telegraph, Zhelko Tomiç, mik i Ristićit që ende lufton në Ukrainë, tha se do të jepte intervistë vetëm për një pagesë prej 100 mijë paundësh.
Në Modriçë, ku punëdhënësi më i madh është një rafineri nafte në pronësi ruse që po vuan nga sanksionet, një banor lokal tha se Ristić ishte mburrur me pensionin e invaliditetit të veteranit nga Moska dhe planifikonte të hapte një qendër trajnimi dhe riparimi për dronë, duke përdorur përvojën nga fronti.
Kthimi i tij në jetën civile nuk sjell ngushëllim për pakicën myslimane boshnjake të qytetit. Jo larg shtëpisë së tij, thirrja e muezinit u dëgjua nga një xhami e rindërtuar pas gjakderdhjes së luftërave të Bosnjës. Mes besimtarëve ishte edhe Edib Zilić, i cili si fëmijë kishte përjetuar shumë nga krimet.
“Isha vetëm 10 vjeç kur tanket hynë dhe babanë ma tërhoqën zvarrë, ndërsa vëllai im gati u vra kur shtëpia e fqinjit, aty përballë, u hodh në erë,” tha Zilić, 43 vjeç.
“Në disa vende viktimat ende përballen me autorët, dhe edhe sot, pavarësisht miqësive të rindërtuara, ekziston një pakicë ekstremistësh që duan të na frikësojnë dhe të na kthejnë në ato kohë të errëta, por ne refuzojmë të jetojmë me frikë.”
Shqetësuese janë edhe shenjat e përfshirjes shtetërore. Milorad Dodik, ish-presidenti i Republikës Srpska që ende ushtron pushtet real, është fotografuar me “Ujkun”, Davor Saviçiç, përpara një takimi me Vladimir Putinin në Moskë më herët këtë vit.
Ka gjithashtu frikë se trajnimet paramilitare në enklavën e mbështetur nga Rusia mund të ndikojnë në sigurinë britanike. Ashtu si Gjermania Lindore dikur shërbeu si terren trajnimi për IRA-n dhe Fraksionin e Ushtrisë së Kuqe, ekziston frika se Republika Srpska po ndjek një rrugë të ngjashme. Dëshmitë nga një gjyq kundër sabotatorëve në Moldavi kanë zbuluar se zona është përdorur së fundmi si bazë trajnimi për luftë hibride të mbështetur nga Rusia kundër Perëndimit.
Trajnimet përfshinin metoda për shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme, si dhe përdorimin e dronëve të paarmatosur dhe të armatosur për të ndërprerë infrastrukturën civile dhe ushtarake. Këto metoda janë përdorur tashmë në aeroporte dhe objekte të ndjeshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë Evropën, disa prej të cilave përfshinin edhe sabotatorë moldavë, të mundshëm të trajnuar në enklavën serbe.
/Argumentum.al





























































