Afrika e Jugut nuk do të marrë ftesë për të marrë pjesë në samitin e G20, vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi sot presidenti amerikan, Donald Trump në platformën e tij “Truth Social” të mërkurën.
Trump akuzoi sërish Afrikën e Jugut për kryerjen e një “gjenocidi” kundër fermerëve të bardhë. Ekspertët dhe qeveria e Afrikës së Jugut kanë hedhur poshtë pretendimet për portretizimin e një gjenocidi.
“Prandaj, sipas udhëzimeve të mia, Afrika e Jugut nuk do të marrë një ftesë për takimin e G20 në vitin 2026, i cili do të mbahet në Miami, Florida vitin e ardhshëm”, shkroi Trump.
“Afrika e Jugut i ka treguar botës se nuk është një vend i denjë për anëtarësim dhe ne do të ndalojmë të gjitha pagesat dhe subvencionet për ta, të cilat hyjnë në fuqi menjëherë”, shtoi ai.
Trump gjithashtu kritikoi faktin se vendi kishte refuzuar t’ia dorëzonte simbolikisht presidencën e G20 me rotacion vjetor një përfaqësuesi të lartë të ambasadës amerikane – në fund të samitit të fundit të G20 – disa ditë më parë, në Johanesburg.
Trump mungoi në samitin në Afrikën e Jugut, dhe zëvendëspresidenti JD Vance nuk mori pjesë. Në këtë kontekst, Trump akuzoi vendin, pa prova, për persekutimin dhe vrasjen e fermerëve të bardhë.
G20 përfshin 19 vende kryesore industriale dhe në zhvillim, së bashku me Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan.
G20 përfshin vendet e mëdha perëndimore si SHBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe si dhe shtete të udhëhequra nga autoritarizmi si Rusia dhe Kina.
Nuk ishte saktësisht e qartë se çfarë ka dashur të nënkuptonte Trump me njoftimin e tij se SHBA-ja do të ndalonte menjëherë të gjitha pagesat dhe mbështetjen për Afrikën e Jugut.
Trump njoftoi më herët se samiti i G20 do të mbahej në Florida – konkretisht në një nga resortet e tij të golfit.
Trump theksoi se resorti luksoz “Doral” pranë Miamit ndodhej shumë afër një aeroporti dhe se ishte vendi më i mirë për samitin në dhjetor 2026.
/Argumentum.al



























































