Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me qëndrim zyrtar për zgjedhjet në Shqipëri
Reagimi;
Gjatë protestave studentore partitë kryesore politike në Shqipëri morën goditje të forta që ua tronditën legjitimitetin. Ato protesta u dhanë shqiptarëve, pas gati tri dekadave, përfytyrimin mbi të renë, dhe besimin se ajo është e mundshme. Kriza aktuale institucionale dhe politike në Republikën e Shqipërisë, skandalet e manipulimit të zgjedhjeve që kanë dalë në publik, dhe mungesa e alternativave të qarta programatike politike, tregojnë se pavarësisht delegjitimimit moral, në Shqipëri e vjetra ende s’ka rënë ndërsa e reja ende s’është ngritur, ndonëse ajo është tashmë në mendjet dhe zemrat e njerëzve.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka ndjekur hap pas hapi, me shumë vëmendje dhe shqetësim, të gjitha zhvillimet politike në Shqipëri. Politika në Shqipëri nuk është në krizë procedurale. Ajo që ndihet menjëherë është zbrazja e politikës dhe e institucioneve nga morali dhe idetë, dhe pamundësia e aktorëve të vjetër politikë për të frymëzuar dhe nxitur imagjinatën mbi ndryshimet e domosdoshme dhe rrënjësore të sistemit. Aktorët kryesorë politikë në Shqipëri, deri te drejtuesit e pushtetit lokal janë sot të pasigurtë në pozicionet e tyre, për shkak të delegjitimit të përgjithshëm që i ka ndodhur sistemit dhe vetë partive dhe institucioneve që përfaqësojnë. Kjo pasiguri e tyre është pasiguri për të mbajtur ose për të marrë pushtetin, dhe po i bënë ata të përjetojnë vetëm një pjesë të vogël të krizës së vërtetë ekonomike e sociale dhe të krizës së përfaqësimit politik në të cilën janë zhytur shumica e shqiptarëve që jetojnë në pasiguri prej vitesh.
Shqiptarët kanë sot shumë arsye për të protestuar. Demokracia nuk zhvillohet vetëm brenda insitucioneve, e aq më pak në institucionet e një shteti të kapur. Kur shteti kapet demokracia pashmangshëm derdhet në rrugë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në protesta, si e drejtë e patjetërsueshme e tyre. Përfshirja e shqiptarëve në protestat masive është shenjë e vitalitetit të madh të kombit tonë, dhe shenjë e refuzimit për t’u nënshtruar. Megjithatë, është e domosdoshme që shqiptarët të përmbahen me gjakftohtësi nga përfshirja në organizime që mund të provokojnë situata të padëshiruara, dhe që nuk synojnë të sjellin të renë më shumë sesa të bëjnë riciklimin e së vjetrës. Situata është shumë e rëndë, por zgjidhjet e ofruara deri më sot nga lart nuk janë në fakt në lartësinë e situatës.
Nga funksionimi privat në ekzekutiv te cirku publik në legjislativ, nga demokracia e zyrave dhe kancelarive te administrata shtetërore e partizuar, nga mjerimi i papunësisë te punësimi i mjerë, nga shitblerja a vjedhja e votave te manipulimi industrial elektoral, nga privatizimi i pasurive kombëtare te tretja demografike e popullsisë, të gjitha këto përbëjnë gjerësinë e krizës dhe shënojnë thellësinë e saj.
Zgjidhja e krizës së madhe shqiptare nuk ka për të ardhur përmes 30 qershorit, mbahen ose jo zgjedhje në atë ditë. Zgjidhja nuk ka për të qenë e shpejtë dhe as afatshkurtër. Kush kërkon zgjidhje të shpejta do të përfundojë në projekte të vjetra, që riciklojnë të vjetrën. E reja vjen vetëm me shumë punë e angazhim, me gatishmëri për kontribut e me shumë sakrifica. Ajo ende s’është ngritur, por ajo është sot e kërkuar si kurrë më parë prej shqiptarëve. Prandaj, ajo ka për t’u ngritur prej vetë shqiptarëve.