Akuzat reciproke mes SHBA dhe Kinës për origjinën dhe fshehjen e informacionit për koronavirusin është shndërruar në çështje politike të nxehtë. Kina ka publikuar një video të shkurtër të animuar “Na ishte njëherë virusi”, ku ironizon reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj koronavirusit të ri përmes disa personazheve Lego që përfaqësojnë dy vendet.
Në videon e animuar të postuar online nga agjencia e lajmeve Xinhua shfaqet një ushtar terrakote me maskë dhe Statuja e Lirisë.
“Kemi zbuluar një virus të ri”, thotë luftëtari.
“E çfarë pastaj?”, përgjigjet Statuja e Lirisë. “Është vetëm një grip”.
Më pas luftëtari bën paralajmërime të tjera rreth virusit dhe numëron të gjitha fazat e shpërthimit të tij në Kinë. Statuja e Lirisë i kundërshton dhe iu jep zë konferencave për shtyp të Trump ku tallej me ashpërsinë e sëmundjes.
“A je duke e dëgjuar veten”, pyet luftëtari në një kohë që statuja fillon të bëhet e kuqe për shkak të temperaturës dhe i vendoset një serum.
“Ne kemi gjithmonë të drejtë edhe kur kundërshtojmë veten”, përgjigjet Statuja.
“Ja përse më pëlqeni ju amerikanët, për vendosmërinë tuaj”, e mbyll luftëtari.