Vjosa Osmani në Forumin e Paqes: Përafrimi me agresorin kurrë nuk sjellë paqe

E tërë infrastruktura e sigurisë e kontinentit tonë është e kërcënuar për shkak të luftës së paprovokuar e të paarsyeshme të Rusisë ndaj Ukrainës. Kështu ka theksuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë adresimit të saj në “Forumin e Paqes” në Paris.

Ajo gjatë këtij paneli ka thënë se e përfaqëson një shtet, i cili ka qenë viktimë e gjenocidit para 23 vjetësh, por që është kthyer në storien më të madhe të suksesit të bashkëpunimit euroatlantik dhe politikës së jashtme, teksa ka theksuar se përafrimi me regjimet gjenocidale nuk sjell kurrë paqe, por vetëm luftë.

“Duke qenë se përfaqësojë Kosovën dhe duke qenë se kemi kaluar periudha të tmerrshme gjatë viteve të 90-ta, por që për shkak të partneritetit dhe aleancave ka sjellë më shumë paqe, më shumë stabilitet dhe më shumë siguri për Ballkanin Perëndimor “, ka thënë Osmani.

Presidentja tutje ka theksuar se ekzistojnë disa mësime të cilat mund t’i nxjerrim nga vitet e 90-ta në Ballkanin Perëndimor, e që mund të përdoreshin për situatën që e shohim tani në agresionin rus ndaj Ukrainës.

“Përafrimi me autokratët apo përafrimet me regjimet gjenocidale apo hegjemoniste nuk sjell kurrë më shumë paqe, ajo sjell vetëm më shumë luftë. Mund të ndërrojë datën, por inkurajon luftën, e inkurajon më shumë autokracinë, inkurajon më shumë shkatërrim dhe dhunë. Arsyeja pse po e përmend këtë është se në vitet e 90-ta disa e shihnin Millosheviqin si paqebërës dhe se vetëm me të do të arrihej paqja. Por, të gjithë e dimë rezultatin e ai ishte 150 mijë njerëz të vrarë të pafajshëm në luftërat e ish-Jugosllavisë. Mësimi është se nuk mund të afrohesh apo miqësohesh me një autokrat. Nuk mund të afrohesh me dikë që ka qëllime hegjemoniste e luftarake”, ka shtuar presidentja Osmani.

Sipas saj, mësimi i dytë është se paqja është e mundur dhe mund të jetë afatgjate nëse agresori nuk shpërblehet.

“Sepse shpërblimi i agresorit me territorin e vendit që ka sulmuar thjesht do ta inkurajojë që të sulmojë tjetrin pas ca vitesh. Pra, më shumë probleme për paqen e stabilitetin, probleme më të mëdha për të gjithë ne jo vetëm në Evropë dhe gjetiu”, ka nënvizuar Osmani.

E gjëja e tretë, sipas presidentes Osmani, është se “ajo që është e detyrueshme dhe parakusht për paqe afatgjatë është ballafaqimi me të kaluarën dhe më pastaj drejtësia”.

“Shumë njerëz flasin për përjetimin midis Francës dhe Gjermanisë si mësim që duhet ta marrim dhe pajtohem me këtë. Por, Gjermania ka paguar një çmim të lartë për krimet që janë kryer gjatë luftës dhe ende është duke paguar. Asnjëherë Gjermania nuk i ka mohuar krimet e veta. Ka qenë Willy Brandt, i cili ka rënë në gjunjë dhe ka kërkuart falje sepse këtë e bënë qenia njerëzore kur nuk ka fjalë për të shpjeguar krimet që janë kryer në Luftën e Dytë Botërore”, është shprehur Osmani.

Drejtësia për viktimat po ashtu është e domosdoshme për të ecur tutje. “Pra kryerësit e atyre krimeve duhet të vihen para drejtësisë në mënyrë që të mos i shohim më kurrë duke i kryer ato. Sepse kur këta kriminelë që nuk janë ballafaquar me drejtësinë për krimet në ish-Jugosllavi kanë vazhduar të shkaktojnë më shumë luftëra e më shumë krime vit pas viti. Mësimi që duhet të nxjerrim është se nuk duhet të biem në kurthin e kësaj loje që të dyja palët janë të njëjta. Dëgjojmë deklarata se si të dyja palët e provokojnë njëra – tjetrën ose që të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokueshme ndaj Ukrainës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka deklaruar se asnjëherë ‘nuk duhet të përdoret kjo qasje kur ka një agresor të qartë e viktimë të qartë, siç i kemi parë në luftërat e ish-Jugosllavisë e siç i shohim sot në luftën ruse ndaj Ukrainës’.

Në fund, presidentja Osmani ka theksuar se nga rasti i Kosovës mund të mësohet që fuqia më e madhe qëndron te partneriteti, derisa multilaterizmi funksionon nëse bazohet në parime, rregulla, e vlera.

“Duhet të bëhemi bashkë për të mbrojtur vlerat dhe parimet që kanë përbrenda qenie njerëzore. Ajo për të cilën duhet të kujdesemi është mbrojtja e civilëve, ndalimi i shkatërrimit dhe kjo është ajo që na shtyn përpara. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet e 90-ta kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO-ja, kur kjo aleancë kishte ndalur gjenocidin në vazhdim. Ishte e suksesshme sepse partneriteti ynë me vendet demokratike në botë ishte i bazuar në vlerat e mbrojtjes së viktimës ndaj agresorit. Pra, të mos harrojmë se ku e gjejmë fuqinë dhe të mos harrojmë se kur të ulemi bashkë në formë multilaterale vlerat duhet të jenë ato që i mbështesim e të mos kurthohemi në këtë qasjen e fajësimit të dy palëve”, ka përfunduar Osmani.  /RTK

Related Posts

Na ndiqni

Regjistrohu

Merr në Email Revistën Argumentum

Të fundit

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Add New Playlist