Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përkujtoi sot 77-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores mbi nazifashizmin.
Peleshi tha se, bota sot gjendet pas mbi treçerekshekulli, sërish përballë një agresioni të pashembullt.
“Bota feston sivjet 77-vjetorin e fitores mbi nazifashizmin, por njëkohësisht, sot pas mbi treçerekshekulli gjendet sërish përballë një agresioni të pashembullt që kërcënon më shumë se kurrë rendin botëror që pas Luftës së Dytë Botërore”, shprehet Peleshi.
77 vjet më parë, më 8 Maj 1945, u nënshkrua në Berlin akti i kapitullimit të Gjermanisë naziste. Dita e Fitores në Evropë festohet çdo vit më 8 maj, që shënon përvjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, e njohur si periudha më e errët që kontinenti ka parë.
Kjo ditë shënon përvjetorin e dorëzimit të ushtrisë gjermane. Adolf Hitler vrau veten më 30 prill 1945, dhe një javë me vonë më 7 maj, Karl Donitz firmosi dorëzimin pa kushte që hyri në fuqi një ditë më pas.