Kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u takua në Shkodër me mbështetës dhe anëtarë të kësaj partie, me të cilët foli në lidhje me vendimin për mosbindje civile nga ana e opozitës.
Berisha tha se “sot jemi në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu”.
Berisha u ndal tek kërkesa e SPAK për autorizim nga Kuvendi për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij në arrest me burg ose arrest shtëpie, duke theksuar se “Rama mendon se duke vendosur në arrest Sali Berishën, do mund t’ia mbyllë gojën”.
“Gabon, përkundrazi! Zotohem këtu se mosbindja civile, pavarësisht çfarë qëndrimi do mbajë ai, do jetë vullkani që do përmbysë këtë narkodiktaturë njëherë e përgjithmonë. Ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër më i fuqishëm se në Shkodër. Shkodra ka qenë në kohërat më të vështira, epiqendra e qëndresës njerëzore për liri, dinjitet dhe vlera”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për kryebashkiakun e Shkodrës, duke thënë se Beci është më mirë të japë dorëheqjen.
Sipas tij, dëshmia më flagrante e batërdisë elektorale ishte 14 maji në Shkodër.





























































