Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledi Nano, ka qenë “shënjestra” e një grupi kriminal, raporton Balkanweb. Sipas asaj që bën me dije, Policia e Shtetit ka patur informacione se një grup kishte planifikuar që të ekzekutonin Nanon.
Lidhur me këtë çështje janë duke vijuar hetimet, të cilat po zhvillohen në mënyrë sekrete dhe deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar.
Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije se plani për eleminimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, po organizohej nga një grup që ai e kishte hetuar kur mbante detyrën si drejtuesi i Antiterrorit. Mësohet se kjo ngjarje është regjistruar rreth tre muaj më parë ku anëtari shumë i rrezikshëm i një organizate kriminale ka planifikuar të ekzekutojë ish-kryepolicin.
Kujtojmë që Nano u shkarkua si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 31 gusht 2022 vetëm pas 10 muajsh në detyrë, me argumentin e qeverisë se nuk kishte realizuar objektivat.
Në momentin e betimit, një nga fjalitë e tij ishte “Profesioni nuk ishte i zgjedhur si detyrë karriere, por profesion i frymëzuar nga babai im, ish-efektiv i policisë së shtetit”.
Nano mban mbi shpatulla një karrierë të gjatë në Polici. Para se të emërohej kryepolic, ai drejtoi për 5 vite Antiterrorin, ku u vlerësua edhe nga Ambasada Amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.
Ndërkohë, pas largimit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, preferoi të tërhiqet nga sytë e publikut për tu angazhuar në jetën akademike. Përveçse është duke dhënë mësim, ish-numëri një i Policisë së Shtetit ka bërë me dije më herët se paralelisht është duke kryer masterin për “Kriminologji”.
“Ju siç e dini unë jam angazhuar paralelisht edhe në botën akademike. Vazhdoj paralelisht edhe masterin për kriminologji, kështu që më tepër libra të fushës sime, nuk shkëputem dot nga fusha e sigurisë”, tha Nano në prononcimin e tij të fundit në media.
/Argumentum.al




























































