Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë organizoi një drekë mirëseardhjeje me Ambasadoren e re të Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj Pang Chuxue, në kuadër të fillimit të misionit të saj diplomatik.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e uroi diplomaten e lartë kineze për fillimin e misionit në vendin tonë, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë në forcimin e mëtejshëm të komunikimit midis dy vendeve.
Duke ju referuar miqësisë së hershme midis dy vendeve, u theksua se ekziston një bazë solide tradite dhe mirëkuptimi për shkëmbime më intensive dhe të institucionalizuara në fushën e ekonomisë, kulturës, turizmit si dhe në fusha të tjera me interes reciprok.

Shqipëria ka vlerësim të veçantë për arritjet në të gjitha fushat nga Republika Popullore e Kinës, dhe në vazhdim, ky vlerësim do të fitojë përmasa më të mëdha nëse diplomacia kineze lëviz me dashamirësi ndaj shtetit të Kosovës, duke bërë hapa praktikë që çojnë në njohjen e saj përfundimtare. Një rrugë efektive do të ishte në fillim njohja e dokumenteve të Kosovës.
Shqiptarët janë një komb i shtrirë në disa shtete dhe ne ndjehemi si një e tërë mes vetes sonë dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishëm kur edhe miqtë e partnerët tanë na vlerësojnë pa dallim pavarësisht kufijve gjeografikë.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe veçanërisht të situatës në Ukrainë, si rrjedhojë e agresionit rus, mundësisë së arritjes së paqes atje dhe qëndrimit/rolit të Kinës, si një anëtar i përhershëm i KS të OKB-së.
/Argumentum.al





























































