Toga EOD e Batalionit të Xhenios është angazhuar në mbështetje të stërvitjes “Defender Europe ’25”, e zhvilluar në kuadër të taskforcës Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë në Kosovë, duke ofruar kapacitete të specializuara sipas skenarëve të stërvitjes, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Mbështetja përfshiu asgjësimin e municioneve me eksploziv në incidente të simuluara EOD dhe IED, shoqërimin e formacioneve gjatë lëvizjes së mjeteve në konfigurim “Convoy”, si dhe hapjen e shtigjeve për garantimin e lirisë së manovrës së njësive operacionale.
Gjatë fazës së operacioneve mësymëse, personeli EOD kreu me sukses neutralizimin e një pajisjeje të improvizuar shpërthyese – një pako e pajisur me fije kurthore dhe mekanizëm shkarkimi me presion.

Në përputhje me të gjitha procedurat e standardizuara (RSP), operatorët realizuan rikonicionin, sigurimin e zonës dhe çaktivizimin e mjetit shpërthyes.