Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shibani mbërriti sot në Uashington vizita e parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e një zyrtari të lartë sirian në 25 vjet – ndërsa qeveria e re në Damask përpiqet të rimëkëmbet nga lufta civile dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin – pas rënies së autokratit Bashar al-Assad, sipas AP.
Uashingtoni ka lehtësuar vazhdimisht sanksionet e vendosura ndaj Sirisë nën drejtimin e al-Assad – që nga takimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al-Sharaa, në Arabinë Saudite në maj – një ngjarje kyçe që i vendosi autoritetet e reja të Sirisë në rrugën e duhur për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar prej disa dekadash.
Ministri i ri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shibani, ishte në Uashington në fillim të këtij viti, por vetëm për të marrë pjesë në takimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ai gjithashtu vizitoi Nju Jorkun ku zhvilloi bisedime në Kombet e Bashkuara.
Këtë herë, al-Shibani – i cili është gjithashtu në negociata me Izraelin për të arritur një marrëveshje sigurie – përgjatë kufirit të tensionuar të dy vendeve – dhe delegacioni i tij pritet të zhvillojnë bisedime me zyrtarë amerikanë dhe gjithashtu të takohen me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Zyra e medias e Ministrisë së Jashtme siriane lëshoi një deklaratë të shkurtër në lidhje me mbërritjen e al-Shibani dhe delegacionit te tij në Uashington – duke e quajtur atë një vizitë zyrtare historike.
Al-Sharaa pritet të udhëtojë në Nju Jork, javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke u bërë kreu i parë i shtetit sirian që merr pjesë në takim pas disa dekadash.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në qershor duke i dhënë fund shumë sanksioneve ekonomike të SHBA-së ndaj Sirisë, duke ndjekur një premtim që i bëri al-Sharaa gjatë takimit të tyre.
Muajin e kaluar, al-Shibani zhvilloi një takim të rrallë të drejtpërdrejtë me një delegacion izraelit në Paris, bisedime që u ndërmjetësuan nga SHBA-ja – si pjesë e një nxitjeje diplomatike – që Siria dhe Izraeli të përmirësojnë marrëdhëniet pavarësisht një rritjeje të fundit të tensioneve midis tyre.