Nga Eljanos Kasaj
Presidentët e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Vladimir Putin dhe Donald Trump, së shpejti do të zhvillojnë një takim të ri ballë për ballë, i cili është planifikuar se do të zhvillohet në Budapest, ka njoftuar udhëheqësi amerikan pas një bisede telefonike me homologun e tij rus.
“Në përfundim të telefonatës, ramë dakord që javën e ardhshme do të ketë një takim të Këshilltarëve tanë të Nivelit të Lartë. <…> Unë dhe Presidenti Putin do të takohemi më pas në një vend të dakortësuar, Budapest, Hungari <…>”, ka shkruar Presidenti Trump në faqen e tij në rrjetin social Truth.
Biseda telefonike midis presidentëve të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe u përshëndet si “e shkëlqyer dhe shumë produktive” nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ndërsa ndihmësi i Kremlinit, Jurij Ushakov, tha për mediat ruse se “biseda telefonike ishte e gjatë dhe gjatë saj u shkëmbyen shumë informacione, njëkohësisht ajo ishte jashtëzakonisht e sinqertë dhe konfidenciale”.
Ndërkohë Kryeministri sovranist hungarez Viktor Orbán- i cili është sot i vetmi lider evropian i cili gëzon mbështetjen dhe respektin e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës-e ka përshëndetur i gëzuar njoftimin se Presidenti Donald Trump dhe Presidenti Vladimir Putin do të takohen në Budapest për të diskutuar përfundimin e konfliktit të armatosur në Ukrainë.
“Takimi i planifikuar midis presidentëve amerikanë dhe rusë është një lajm i shkëlqyer për popujt paqedashës të botës”, ka thënë Kryeministri Orbán në një postim në platformën sociale X- “Ne jemi gati!”
Ky do të jetë takimi i dytë ballë për ballë midis Presidentit amerikan Donald Trump and Presidentit rus Vladimir Putin që prej Samitit të Alaskës të zhvilluar më 15 gusht-dhe takimi i parë i mbajtur në tokën evropiane që nga fillimi i konfliktit të armatosur ruso-ukrainas në shkurt 2022.
/Argumentum.al



























































