Fjala kyçe: 光复—[guāng fù]—rikthim
Rreth 100 përfaqësues nga dy brigjet e ngushticës së Tajvanit u mblodhën të martën në një aktivitet të zhvilluar në Pekin, për të përkujtuar 80-vjetorin e rikthimit të Tajvanit në Kinë.
Presidenti i Federatës Pankineze të Bashkëatdhetarëve të Tajvanit, Zheng Ping u shpreh në këtë aktivitet se rikthimi i Tajvanit është një arritje kyçe e fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Botërore Antifashiste.
Ai nënvizoi se dokumentet ndërkombëtare ligjore, si Deklarata e Kajros 1943 dhe Deklarata Potsdam 1945, konfirmuan sovranitetin e Kinës mbi Tajvanin. Rezistenca prej pesë dekadash e popullit të Tajvanit kundër sundimit japonez, provuan më tej identitetin e tyre kinez.
Në vitin 1895, pas disfatës në luftë me Japoninë, qeveria e Dinastisë Qing u detyrua t’i dorëzonte Japonisë Tajvanin dhe Ishujt Penghu. 50 vjet më vonë, pas 14 vjetësh lufte të pandalur, populli kinez mposhti agresionin japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke nxitur rikthimin e Tajvanit në atdhe.
Lin Ming-cong, një pasardhës i familjes patriotike Lin nga Wufeng në Tajvan, si edhe kreu i një shoqate për të afërmit e patriotëve në Tajvan, tha në një videofjalim se qindra bashkatdhetarë të Tajvanit morën pjesë aktivisht në lëvizjet e rezistencës kundër sundimit kolonial japonez (1895-1945). Sakrificat e tyre hapën rrugën për rikthimin e Tajvanit në atdhe.
Krahas këtij, edhe disa të rinj nga Tajvani ndanë mendimet e tyre mbi këtë çështje. Lu Ying-chu, një studente në Universitetin Minzu të Kinës, kujtoi historinë e stërgjyshit të saj.
“Edhe pse e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij nën sundimin kolonial japonez, ai gjithmonë mbajti veshje tradicionale kineze dhe ruajti me përkushtim oborrin e fiseve tona, tempullin e familjes dhe shënimet gjenealogjike. Ai i konsideronte këto si rrënjën dhe shpirtin e familjes sonë, ndërsa dëshironte me padurim mbarimin e sundimit kolonial,” u shpreh Lu.
Lin Ching-mao, nga Changhua në Tajvan, që aktualisht studion në Universitetin e Pekinit, tha se përkujtimi mbi rikthimin e Tajvanit nuk ka të bëjë vetëm me kujtimin e historisë, por edhe me forcimin e ndërgjegjësimit të popullit brenda Tajvanit, veçanërisht për brezin e ri. Ndërkohë shërben edhe për të hedhur poshtë narrativën historike separatiste, e cila promovon “pavarësinë e Tajvanit”.
Aktiviteti u bashkëorganizua nga Federata Pankineze e Bashkëatdhetarëve të Tajvanit, China Daily, Shoqata e Bashkëatdhetarëve të Tajvanit e Pekinit si dhe shoqata e patriotëve në Tajvan./CGTN





























































