Mesditën e së shtunës, Zyra e Çështjeve të Tajvanit e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe e Këshillit të Shtetit organizuan në hotel “Diaoyutai” një pritje për Ditën Përkujtimore të Rikthimit të Tajvanit. Në këtë veprimtari morën pjesë të ftuar nga qarqe të ndryshme të Tajvanit që kishin marrë pjesë në mëngjes në ceremoninë e 80-vjetorit të Rikthimit të Tajvanit, si edhe përfaqësues nga Kina kontinentale.
Rikthimi i Tajvanit përbën një provë të pakundërshtueshme të rikthimit të sovranitetit të Kinës mbi Tajvanin, një fakt historik dhe juridik që dëshmon se Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës. Më 24 tetor, sesioni i 18-të i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore miratoi një vendim për të shpallur ligjërisht datën 25 tetor si Ditën Përkujtimore të Rikthimit të Tajvanit, duke përcaktuar që shteti do të organizojë aktivitete përkujtimore me forma të ndryshme.
Në fjalimin e tij në pritje, Song Tao, drejtor i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të KQ të PKK-së dhe të Këshillit të Shtetit, theksoi se vendimi për këtë ditë është marrë me drejtimin e sekretarit të përgjithshëm Xi Jinping dhe është miratuar sipas procedurave ligjore nga Asambleja Kombëtare Popullore. Vendimi pasqyron vullnetin e popullit dhe autoritetin e shtetit. Vendosja e Ditës Përkujtimore të Rikthimit të Tajvanit është një masë e rëndësishme për të kujtuar historinë dhe për të nderuar dëshmorët, një veprim i fuqishëm për mbrojtjen e parimit të “Një Kine” dhe kundër forcave të separatizmit të “pavarësisë së Tajvanit” e ndërhyrjeve të jashtme dhe një shprehje konkrete e mbështetjes për forcat patriotike që promovojnë bashkimin kombëtar.
Kina ka aftësinë për të penguar forcat e separatizmit, për të nxitur zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve, për të thelluar bashkëpunimin dhe shkëmbimet, duke forcuar ndjenjën e përbashkët të identitetit kombëtar kinez. Kina ka besimin për të përparuar procesin e bashkimit të atdheut, për të rritur mirëqenien e bashkatdhetarëve tajvanezë, si dhe vendosmërinë për të përballuar çdo sfidë, në mënyrë që të realizohet rilindja e madhe e kombit kinez.
Foto nga VCG
Ji Xin, botuesja e revistës tajvaneze “Observator”, tha se vendosja e Ditës Përkujtimore të Rikthimit të Tajvanit përputhet me dëshirën e përbashkët të shumicës së bashkatdhetarëve tajvanezë, dhe se do të ringjallë kujtimet e përbashkëta të popullit në të dy anët e ngushticës. Kjo ditë do të frymëzojë banorët e Tajvanit të kujtojnë historinë, të trashëgojnë dhe përhapin traditën patriotike, të mbështeten në faktin se të dy anët e ngushticës i përkasin një Kine të vetme, dhe të ndihen krenarë për identitetin e tyre si qytetarë të ndershëm të Kinës, duke kontribuar për unitetin kombëtar dhe rilindjen e kombit.
Pjesëmarrësit nga Tajvani u shprehën se vendosja e Ditës Përkujtimore të Rikthimit të Tajvanit është në kohën e duhur dhe ka rëndësi të madhe, pasi do të forcojë ndjenjën e përbashkët kombëtare dhe do të frymëzojë të gjithë kinezët, veçanërisht bashkatdhetarët tajvanezë, të thellojnë ndërgjegjen se të dy anët e ngushticës i përkasin një Kine të vetme dhe se të gjithë janë kinezë, duke forcuar vendosmërinë për të kundërshtuar separatizmin dhe ndërhyrjet e jashtme, si dhe duke bashkuar forcat për realizimin e bashkimit të atdheut dhe rilindjes kombëtare.
Pas pritjes, të ftuarit nga Tajvani vizituan Muzeun e Luftës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez, ku u hap ekspozita “Ishulli i patundshëm, zemra ndaj atdheut – faktet historike të rezistencës të bashkatdhetarëve të Tajvanit kundër Agresionit Japonez”./CGTN





























































