Presidenti rus Vladimir Putin bëri një sërë deklaratash me gazetarët gjatë një vizite në Kirgistan. Putin po përgjigjej për herë të parë që kur Kievi siguroi ndryshime në propozim, i cili fillimisht u pa si shumë i favorshëm për Kremlinin. Ai foli mbi konfliktin në Ukrainë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, situatën në front dhe pozicionin e Rusisë në arenën ndërkombëtare. Moska mbetet e hapur për bisedime, por vetëm në kushte që i konsideron të pranueshme thekson ai.
Nuk pati draft-marrëveshje për Ukrainën
Putin mohoi ekzistencën e një projekt-marrëveshjeje zyrtare për konfliktin në Ukrainë, duke sqaruar se deri më tani është diskutuar vetëm një listë prej 28 pikash, të cilat SHBA-ja dhe Ukraina i ndanë më vonë në katër kategori.
Sipas tij, disa prej pikave “duken qesharake” dhe duhet të riformulohen siç kërkon diplomacia ndërkombëtare.
Ai konfirmoi se Moska pret negociatorët amerikanë në Moskë javën e ardhshme, ndërsa Presidenti Donald Trump po vendos për ekipin që do të marrë pjesë. Emisari amerikan Steve Witkoff, sipas Putinit, mbron pozicionet e SHBA-së, por “dialogu me të është i qetë dhe korrekt”.
SHBA, New START dhe siguria globale
Presidenti rus u ndal edhe te siguria bërthamore dhe e ardhmja e traktatit New START, që skadon në shkurt. Ai tha se nëse Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të rinovojnë traktatin, Rusia nuk do të insistojë, por mbetet e gatshme të diskutojë stabilitetin strategjik.
Gjithashtu, Moska synon të hapë çështje të reja në negociata, përfshirë informacione lidhur me përgatitjet për teste bërthamore.
Deklarime për situatën në front
Putin siguroi se forcat ruse po ruajnë ritme të qëndrueshme të përparimit në të gjitha drejtimet e operacionit ushtarak. Ai pretendoi se qytetet Krasnoarmeisk dhe Dimitrov janë të rrethuara plotësisht, ndërsa 70% e Krasnoarmeisk kontrollohet nga forcat ruse.
Sipas tij, Volchansk është “pothuajse i tëri” në duart e ushtrisë ruse. Presidenti rus deklaroi gjithashtu se ushtria ukrainase humbi 47 mijë trupa gjatë tetorit dhe se dezertimi në radhët ukrainase është “shumë i madh”.
Ai përsëriti se luftimet do të pushojnë vetëm nëse ushtria ukrainase tërhiqet: “Nëse nuk largohen, ne do ta arrijmë këtë me mjete ushtarake.”
Kontaktet në Emiratet e Bashkuara
Putin konfirmoi se Abu Dhabi është shndërruar në një platformë të rëndësishme takimesh mes shërbimeve sekrete ruse dhe ukrainase. Qëllimi kryesor, sipas tij, është zgjidhja e çështjeve humanitare.
Rusët nuk e refuzuan pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të administratës amerikane, edhe pse ai u shfaq pa paralajmërim në vendtakim.
Raportet me SHBA-në dhe sanksionet e reja
Putin tha se sanksionet e reja amerikane mbi kompanitë ruse të naftës ishin të papritura, duke theksuar se nuk ka pasur tensione të reja mes Moskës dhe Uashingtonit.
Sa i përket pretendimeve se Rusia përgatitet të “sulmojë Evropën”, ai i quajti ato “budallallëqe” dhe shprehu gatishmërinë për t’i hedhur poshtë me dokumente zyrtare.
Kritika drejt udhëheqjes ukrainase
Putin akuzoi qeverinë ukrainase se shmangu zgjedhjet dhe humbi legjitimitetin. Në këto kushte, sipas tij, është e pavlefshme të negociohet me administratën aktuale të Kievit.
Ai theksoi se Rusia synon njohje ndërkombëtare të realiteteve të saj territoriale dhe se kjo çështje është më e rëndësishmja për Moskën.
Asetet ruse në Evropë dhe masat kundërpërgjigjëse
Putin kundërshtoi ashpër idetë për konfiskimin e aseteve ruse në Evropë, duke paralajmëruar se ky veprim do të dëmtonte rëndë besimin në eurozonë.
Ai tha se qeveria ruse po përgatit një paketë masash reciproke në rast se konfiskimi ndodh.
Lavrov dhe roli i tij diplomatik
Presidenti rus mohoi thashethemet për “rënien në dizfavor” të ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov. Ai konfirmoi se Lavrov po përgatitet për takime me përfaqësuesit amerikanë dhe se vazhdon të ketë agjendë të ngarkuar diplomatike.
Rusia dhe G8: asnjë ftesë për rikthim
Putin tha se Rusia nuk ka marrë asnjë ftesë për t’u rikthyer në Grupin e Tetëshes (G8). Ai theksoi se Moska nuk ka kërkuar asnjëherë rikthim, por gjithmonë është treguar e hapur për bashkëpunim, nëse një platformë e tillë do të shërbente për koordinim ndërkombëtar.
CSTO dhe situata në kufi me Kazakistanin
Putin theksoi se Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) nuk kërcënon askënd, por duhet të jetë gati të mbrojë vendet anëtare kundër çdo akti agresiv. Ai shtoi se Armenia vazhdon të mbështesë vendimet e organizatës.
Për sa i përket bllokimeve të kamionëve në kufi me Kazakistanin, ai i lidhi ato me fushatat kundër importeve të paligjshme, duke thënë se shumë automjete kalojnë kufirin pa dokumente.
/Argumentum.al




























































