Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të gjera ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), me synimin për të kufizuar transaksionet financiare dhe aftësinë e institucionit për të funksionuar, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Në një deklaratë zyrtare, Uashingtoni argumenton se masat synojnë të ndalojnë veprimtarinë e gjykatës me seli në Hagë, duke ndërprerë burimet e saj financiare dhe duke kufizuar ndjeshëm kapacitetet institucionale.
“Presidenti Trump nuk do të lejojë kurrë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht shtetasit amerikanë”, thuhet në deklaratë, ku gjykata cilësohet si një institucion që vepron “jashtë kontrollit”.
Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Statutin e Romës, dokumentin themelues të GJPN-së, dhe kundërshtojnë ushtrimin e juridiksionit të saj ndaj shtetasve amerikanë, përfshirë personelin ushtarak dhe drejtuesit politikë të vendit.
Megjithatë, juridiksioni i Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kufizohet vetëm te shtetasit e vendeve që kanë aderuar në Statutin e Romës. Në rrethana të caktuara, gjykata mund të hetojë dhe të ndjekë penalisht krime të dyshuara të kryera në territorin e një shteti palë ose në bazë të një referimi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Më parë, administrata amerikane kishte vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë të gjykatës, e cila ka mandat të hetojë dhe të ndjekë penalisht gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimin e agresionit.
Sipas Departamentit të Shtetit, Uashingtoni kishte shtyrë vendosjen e sanksioneve ndaj vetë institucionit, duke shpresuar se gjykata ose shtetet anëtare të saj do të adresonin shqetësimet amerikane. Por, sipas deklaratës, nuk janë ndërmarrë hapa të konsideruar domethënës për zgjidhjen e tyre.
Administrata amerikane deklaron se mbetet e hapur për një zgjidhje diplomatike, por paralajmëron se mund të ndërmarrë masa të tjera nëse nuk ndryshon qëndrimi i gjykatës.
“Ose ICC-ja do t’i japë fund kërcënimeve të saj ose ne do t’i japim fund asaj”, thuhet në deklaratë, ku Uashingtoni paralajmëron se do të vazhdojë përpjekjet për çmontimin e institucionit “tullë pas tulle”.
Masat amerikane e vendosin në qendër të debatit përplasjen mes pretendimit të Uashingtonit për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe parimit të përgjegjësisë penale ndërkombëtare për krimet më të rënda. Efekti i tyre do të varet nga shtrirja konkrete e sanksioneve, reagimi i shteteve anëtare dhe aftësia e gjykatës për të ruajtur funksionimin e saj.
© 2026 Argumentum





















































