Tiranë – Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë ka uruar z. Klodian Braho për zgjedhjen e tij si drejtues i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke i dëshiruar suksese në detyrën e re.
Në deklaratën e shpërndarë për media, Shoqata vlerëson punën trevjeçare të mëparshme të SPAK-ut nën drejtimin e Altin Dumanit, ndërsa shpreh besimin se edhe drejtimi i z. Braho do të vazhdojë në të njëjtën frymë të profesionalizmit, transparencës dhe efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë kërkon që ndër prioritetet e SPAK-ut të jetë hetimi i, siç pretendohet në deklaratë, lëshimit të paligjshëm të certifikatave të origjinës bullgare nga disa institucione lokale, si edhe një hetim mbi ndikimin e grupeve të ndërmjetësve të pasaportave bullgare në procesin e regjistrimit të popullsisë së vitit 2023.
Sipas shoqatës, këto grupe dyshohet se kanë ushtruar presion, kërcënime dhe ryshfet ndaj qytetarëve për t’i shtyrë të deklaroheshin si bullgarë, duke synuar – sipas tyre – manipulimin e të dhënave të regjistrimit.
Po ashtu, Shoqata kërkon hetim mbi aktivitetet e disa fondacioneve nga Bullgaria, të cilat – sipas deklarimit – “veprojnë me qëllim të asimilimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri”, duke rrezikuar identitetin dhe të drejtat kulturore të këtij komuniteti.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë shpreh besimin se drejtimi i ri i SPAK do të vijojë punën për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e çdo komuniteti në vend.
/Argumentum.al





























































