Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi bëri thirrje gjatë një takimi të enjten në Pekin me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi, për përmbajtje bërthamore, si edhe për respektimin e multilateralizmit dhe të rendit ndërkombëtar, për të ruajtur paqen dhe sigurinë globale.
Wang, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, u shpreh që rendi global i pas Luftës së Dytë Botërore po përballet me sprova të papara dhe se sistemi me Kombet e Bashkuara në qendër po përjeton një krizë besimi, ndërkohë që disa vende po shkelin rregullat nëpërmjet forcës dhe po e zëvendësojnë bashkëpunimin me detyrimin. Ai paralajmëroi për rrezikun real të rikthimit te “ligji i xhunglës”.
Duke theksuar ndikimin e konflikteve të tanishme që po përhapen me ritme të përshpejtuara, Wang tha që, nëse vihen në shënjestër objektet bërthamore, pasojat do të jenë të pallogatshme dhe popujt e rajonit do të përballen me një situatë të rëndë. Ai bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe për kthim te dialogu dhe negociatat, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur shkaqet rrënjësore të konfliktit.
Kryediplomati kinez vuri në dukje rolin kritik të IAEA-së në qeverisjen bërthamore globale, duke theksuar përgjegjësitë e saj ndërkombëtare në rritje, dhe shprehu gatishmërinë e Kinës për të thelluar bashkëpunimin me këtë agjenci, për të mbrojtur sistemin e mospërhapjes bërthamore dhe për të kontribuuar në paqen globale.
Grossi tha nga ana e tij se bota përballet me pasiguri si kurrë më parë dhe se vendet e ndryshme duhet të punojnë së bashku për t’iu përgjigjur këtyre sfidave. Ai vlerësoi katër nismat globale të propozuara nga Kina, duke theksuar se ato tregojnë mbështetjen e vendosur të Kinës për sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në qendër.
Grossi vuri në dukje gjithashtu që, si një fuqi e madhe bërthamore dhe si një anëtare kyçe e IAEA-së, angazhimi i Kinës është jetik. Ai konfirmoi përkushtimin e IAEA-së ndaj politikës së “një Kine” dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me palën kineze për çështjet e nxehta, për të promovuar përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe për të ruajtur së bashku kornizën ndërkombëtare të mospërhapjes bërthamore dhe paqen botërore./cgtn





























































