Si një vend që dikur u shkaktoi vuajtje të thella popujve të Azisë e të botës dhe që ende nuk ka reflektuar vërtet mbi krimet e veta historike të agresionit, Japonia tani po i ekzagjeron të ashtuquajturat “kërcënime të jashtme” në një mënyrë krejtësisht të pabazuar dhe duke u nxitur nga motive të fshehta, u shpreh të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Jiang Bin.
Ai i tha këto në një konferencë të rregullt për shtypin në përgjigje të fjalëve të fundit të kryeministres japoneze Sanae Takaichi se me rritjen e aftësive ushtarake të Kinës dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë, si edhe me bashkëpunimin e tyre më të ngushtë me Rusinë, Japonia përballet me mjedisin e vet të sigurisë më të rëndë dhe kompleks pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin e pamohueshëm që Japonia zhvilloi agresion mbi të gjitha vendet e saj fqinje,” vuri në dukje Jiang, duke shtuar që është shumë e qartë se qëllimi i vërtetë i administratës japoneze është të largojë vëmendjen e publikut nga problemet e brendshme, ta keqdrejtojë bashkësinë ndërkombëtare dhe të ndjekë “rimilitarizimin”.
Pala japoneze ka çuar përpara rishikimin e tre dokumenteve të sigurisë kombëtare, ka zhvilluar fuqishëm aftësitë ushtarake sulmuese, dhe madje ka bërë thirrje për zotërimin e armëve bërthamore, u shpreh në vijim zëdhënësi i diplomacisë kineze, duke theksuar që veprime të tilla të rrezikshme janë shumë alarmuese.
Kina mbështet parimin e shikimit drejt së ardhmes duke mësuar nga historia, tha ai, duke vënë në dukje se thelbi i çështjes është mosharrimi i historisë, në mënyrë që tragjeditë e kaluara të mos përsëriten kurrë.
Jiang theksoi se njerëzit paqedashës në mbarë botën duhet të bashkohen për të frenuar me vendosmëri ringjalljen dhe përhapjen e “neomilitarizmit” në Japoni dhe për të mbështetur me vendosmëri paqen e qëndrueshmërinë rajonale, si edhe sigurinë dhe mirëqenien e njerëzve./cgtn





























































