Rishikimi i mundshëm nga qeveria japoneze i “tre parimeve mbi transferimin e pajisjeve mbrojtëse” simbolizon një ndryshim themelor të politikës së Japonisë mbi eksportin e armëve pas Luftës së 2-të Botërore dhe shumë studiues ndërkombëtarë e intelektualë japoneze kanë shprehur shqetësim të thellë për këtë. Kështu u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Mao Ning në një konferencë për shtypin të zhvilluar të martën në Pekin, duke iu përgjigjur pyetjes së medias se cili ishte komenti i qeverisë kineze mbi këtë çështje.
Mao theksoi që plani i Japonisë për rishikimin e këtyre parimeve shkel seriozisht dispozitat e dokumenteve ligjore ndërkombëtare, si Deklarata e Kajros, Proklamata e Postdamit dhe Instrumenti i Kapitullimit të Japonisë, si edhe kushtetutën e rregulloret e brendshme ekzistuese të Japonisë, dhe minon garancinë institucionale që parandalon ringjalljen e militarizmit japonez. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ruajë vigjilencën e lartë dhe të kundërshtojë në mënyrë të vendosur veprimet përkatëse të “militarizmit të ri” të Japonisë.
“Ne e nxisim Japoninë të rishikojë thellësisht historinë e vet të agresionit militarist, të zbatojë në mënyrë rigoroze premtimet dhe të veprojë me kujdes në fushën e sigurisë ushtarake, duke mos ecur më tej në rrugën e gabuar,” theksoi Mao./cgtn




























































