Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën sot për të shtatëmbëdhjetën ditë radhazi në protestën kundër qeverisë, duke vijuar mobilizimin e tyre në qendër të Tiranës.
Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, organizatorët njoftuan se, duke nisur nga nesër, protesta do të zhvillohet çdo mbrëmje në orën 19:00.
Njëri prej nismëtarëve të protestës, Alben Kola, bëri të ditur se në tubimin e sotëm nuk do të kishte fjalime nga organizatorët, por vetëm nga të rinjtë pjesëmarrës. “Protesta do të vijojë paqësore. Nuk jemi kundër partive politike, por kundër kryetarëve të tyre”, deklaroi ai, duke shpjeguar edhe itinerarin e marshimit.
Pas tubimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e Sali Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe ndalimin e shitjes së pasurive kombëtare.
Me pankarta dhe thirrje të ndryshme, protestuesit sollën në vëmendje çështje që lidhen me transparencën në qeverisje, mbrojtjen e interesit publik dhe ruajtjen e mjedisit.
“Europe, Can You Hear Us?”,“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan gjatë marshimit në bulevard.
(…vijon)
/Argumentum.al





























































