Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Republikën e Shqipërisë.
Konfirmimi u miratua gjatë një seance plenare të Senatit me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke përmbyllur procesin e emërimit të tij. Më herët, kandidatura e Wendt kishte marrë mbështetjen e Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë,(Senate Foreign Relations Committee), i cili rekomandoi miratimin e tij.
Ambasadori Wendt është një gjeneral-lejtnant i pensionuar i Ushtrisë Amerikane me më shumë se 34 vjet përvojë në fushën ushtarake dhe të sigurisë ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur poste të larta drejtuese në strukturat ushtarake amerikane dhe ato ndërkombëtare, përfshirë detyrën e komandantit të Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s.
I emëruar nga Donald Trump, Wendt ka theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe mbështetjes për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Emërimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Shqipëria vazhdon të luajë një rol aktiv në NATO dhe në nismat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori Wendt pritet të marrë detyrën në Tiranë në ditët në vijim, duke i dhënë fund periudhës së vakancës në drejtimin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri dhe duke konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të Uashingtonit ndaj partneritetit strategjik me Shqipërinë.
© 2026 Argumentum





























































