Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri organizoi një pritje me rastin e 99-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze. Gjatë ceremonisë, Atasheu i Mbrojtjes, Koloneli i Lartë Liu Jiahong, përcolli mesazhet e Kinës për modernizimin e forcave të armatosura, mbështetjen për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore shqiptare, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, atashe të mbrojtjes, përfaqësues të Forcave të Armatosura, anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri–Kinë, përfaqësues të botës akademike, medias, biznesit, si dhe miq e të ftuar të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës.
Në emër të Ambasadores së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, dhe stafit të ambasadës, Koloneli Liu u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe shprehu mirënjohjen shprehu mirënjohjen për miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze, e themeluar dhe e udhëhequr nga Partia Komuniste e Kinës, ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e vendit gjatë 99 viteve të fundit. Sipas tij, që nga viti 2012, nën udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping, Kina ka realizuar arritje të rëndësishme në modernizimin e mbrojtjes kombëtare dhe ndërtimin e një force ushtarake të standardeve botërore.
Koloneli Liu kujtoi gjithashtu 90-vjetorin e fitores së Marshimit të Gjatë të Ushtrisë së Kuqe, duke theksuar se ushtria kineze vazhdon të frymëzohet nga kjo trashëgimi historike në përmbushjen e misionit të saj për mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës.
Duke folur për situatën ndërkombëtare, ai u shpreh se bota po përballet me ndryshime të thella dhe komplekse, ndërsa Kina mbetet e përkushtuar ndaj multilateralizmit, rolit qendror të Kombeve të Bashkuara dhe promovimit të drejtësisë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ai përmendi Iniciativën e Zhvillimit Global, Iniciativën e Sigurisë Globale, Iniciativën e Qytetërimit Global dhe Iniciativën e Qeverisjes Globale si shtylla të vizionit kinez për një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Atasheu i Mbrojtjes nënvizoi se ushtria kineze ndjek një politikë mbrojtëse dhe ka kontribuar në mënyrë aktive në ruajtjen e paqes ndërkombëtare përmes misioneve paqeruajtëse të OKB-së, operacioneve të sigurisë detare në brigjet e Somalisë dhe Gjirin e Adenit, si dhe në operacione humanitare dhe ndihmë ndërkombëtare gjatë fatkeqësive natyrore.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe mes Kinës dhe Shqipërisë. Koloneli Liu theksoi se dy vendet gëzojnë marrëdhënie tradicionale miqësore dhe se bashkëpunimi ushtarak përbën një komponent të rëndësishëm të tyre.
“Si Atasheu i Mbrojtjes i sapoemëruar i Ambasadës Kineze në Shqipëri, mezi pres të punoj me miqtë tanë shqiptarë për të promovuar vizitat dhe shkëmbimet mes dy ushtrive dhe për të thelluar bashkëpunimin praktik,” u shpreh ai.
Në përfundim të ceremonisë, Koloneli Liu ngriti një dolli për 99-vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze, si edhe për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
© 2026 Argumentum




























































