Gjeneral ® Piro Ahmetaj
Senior Ekspert për çështjet e Sigurisë Kombëtare, Ballkanit dhe marrëdhëniet me SHBA/NATO
Pas reagimeve dhe diskutimeve të shumta që pasuan shkrimin tim të mëparshëm lidhur me masën e arrestit ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, vlerësoj se është e nevojshme ta rikthej çështjen në një plan më të gjerë institucional dhe strategjik.
Përtej emrit konkret të Presidentit të Republikës dhe debatit të ditëve të fundit për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duhet të kemi të qartë rolin kushtetues të këtij institucioni. Neni 168, pika 3 e Kushtetutës e përcakton KSK-në si organ këshillimor të Presidentit të Republikës. Për këtë arsye, KSK-ja nuk është një organ ekzekutiv dhe nuk mund të shihet si mekanizëm për zgjidhjen e krizave politike apo shtetërore.
Për mua, çështja kryesore nuk është vetëm mbledhja e KSK-së apo emri i drejtuesit të ardhshëm të SHISH. Shqipëria ka nevojë për një reformë radikale, gjithëpërfshirëse dhe të gjithanshme të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes. Kjo reformë duhet të synojë forcimin e balancave institucionale, modernizimin e kapaciteteve operacionale, rritjen e efektivitetit të institucioneve të sigurisë dhe përcaktimin më të qartë të përgjegjësive ndërinstitucionale.
Në kushtet e një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks, vendi duhet të jetë në gjendje të përballojë jo vetëm kërcënimet tradicionale, por edhe ato hibride, kibernetike dhe informative. Kjo kërkon institucione profesionale, kapacitete moderne të inteligjencës dhe mekanizma funksionalë të koordinimit, kontrollit dhe llogaridhënies.
Një reformë e tillë duhet të jetë e lidhur natyrshëm me orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe me partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe partnerët tanë në rajon e më gjerë. Mbrojtja e sovranitetit dhe interesave kombëtare kërkon që këto kapacitete të zhvillohen në përputhje me realitetin e ri strategjik.
Nga eksperienca ime gjashtëvjeçare si Këshilltar i Presidentit të Republikës, dua të sjell në kujtesën institucionale edhe një proces të rëndësishëm të vitit 2016. Në kuadër të reformave të asaj periudhe, një grup ndërinstitucional, në të cilin pata mundësinë të kontribuoj, punoi për hartimin e një projektligji të posaçëm për institucionin e Presidentit, ku përfshihej edhe reformimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Mendoj se kjo përvojë duhet të rishikohet sot, duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga zhvillimet politike dhe institucionale të dekadës së fundit. Çështja e funksionimit të Republikës Parlamentare, balancave ndërmjet pushteteve dhe përgjegjësive institucionale meriton një diskutim serioz dhe profesional.
Një sistem modern i sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te individët që drejtojnë institucionet. Ai kërkon institucione të qëndrueshme, procedura të qarta, profesionalizëm, kontroll demokratik dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.
Prandaj, përtej debatit të momentit mbi KSK-në, Presidentin apo drejtimin e SHISH, duhet të shtrojmë pyetjen më të rëndësishme, çfarë arkitekture të sigurisë kombëtare i nevojitet Shqipërisë përballë sfidave të reja strategjike?
Përgjigjja, sipas meje, duhet të jetë një sistem më funksional, më profesional dhe më i aftë për të garantuar sigurinë kombëtare, duke respektuar njëkohësisht demokracinë funksionale, balancat e pushteteve dhe kontrollin institucional.
Në këtë proces, mbetem i gatshëm të kontribuoj me përvojën time profesionale dhe euroatlantike, me bindjen se forcimi i institucioneve dhe i kapaciteteve të sigurisë është pjesë e pandashme e mbrojtjes dhe promovimit të interesave kombëtare.
© 2026 Argumentum





















































