Nga Albert Vataj
Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u shndërrua të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese, kur Eminenca e Tij, Kardinali Ernest Simoni Troshani, u rikthye për të kremtuar Meshën e Shenjtë në vendin ku vuajti 12 vite gjatë regjimit komunist. Në fjalën e tij, kardinali rikujtoi arrestimin e vitit 1963 dhe ridënimin në vitin 1973, duke ndarë kujtime nga vitet e burgimit dhe të punës së detyruar, mes tyre edhe në Spaç. Ai solli në kujtesë bashkëvuajtësit me të cilët ndau qelitë dhe galeritë e minierës, shumë prej të cilëve humbën jetën ose nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre, dhe u lut për shpirtrat e tyre, duke theksuar se ruajtja e kujtesës është një detyrim moral ndaj viktimave të diktaturës komuniste dhe një përgjegjësi për brezat që vijnë.

Ceremonia u organizua me iniciativën e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e institucioneve të kujtesës, ndër to edhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), duke mbledhur ish-të dënuar politikë, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve shtetërore, pushtetit vendor dhe komunitetit fetar. Kryetari i kësaj shoqate, Ethem Fezollari, kërkoi angazhim më të madh institucional në mbështetje të ish-të përndjekurve politikë dhe për ruajtjen e vendeve të kujtesës, ndërsa kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, riafirmoi kërkesën që ish-Burgu i Spaçit të mbrohet, konservohet dhe zhvillohet si një memorial i gjallë, ku të dokumentohen krimet e regjimit komunist.

Një detaj i veçantë i ceremonisë ishte edhe mesazhi i ardhur nga Vatikani, me këtë rast, Papa Leoni i dërgoi Kardinalit Simoni një letër personale, në të cilën shprehu se me mallëngjim të thellë bashkohej shpirtërisht me Eminencën e Tij dhe me të gjithë ata që u mblodhën në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku kardinali u rikthye pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete. Papa e cilësoi Spaçin si një prej faqeve më të dhimbshme të historisë shqiptare, një vend ku shumë njerëz mbartën kryqin e rëndë të padrejtësisë, ku gjaku i atyre që vuajtën e vdiqën mes atyre maleve ujiti tokën, duke e bërë atë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese.

Kush është Kardinali Ernest Simoni
I lindur më 18 tetor 1928 në Troshan të Lezhës, Ernest Simoni u shugurua meshtar më 7 prill 1956. Gjatë regjimit komunist ai kaloi vite të gjata në burg dhe në punë të detyruar, përfshirë edhe në galeritë e minierës së Spaçit e më pas në kanalizimet e Shkodrës, para se t’i rikthehej lirisë dhe shërbesës meshtarake me rënien e komunizmit në vitin 1990. Papa Françesku e emëroi kardinal në vitin 2016, në moshën 88-vjeçare, një nga rastet më vonuara në historinë e Kishës. Sivjet, në prill, ai shënoi 70-vjetorin e shugurimit të tij dhe mori pjesë krah Papa Leonit XIV në Bekimin e Pashkëve Urbi et Orbi, si njohje e jetës së tij si dëshmitar dhe martir i besimit.

Burgu i Spaçit mban statusin monument kulture i kategorisë së dytë, ndërsa në vitin 2015 u shpall edhe zonë e mbrojtur, që përfshin godinat e burgut, godinat e administratës dhe të minierës. Sot ai qëndron si një nga simbolet më të rënda të terrorit komunist në Shqipëri dhe një kujtesë e përhershme e çmimit të lirisë, një detyrim për të ruajtur të vërtetën historike, për të nderuar martirët dhe për të edukuar brezat e rinj me vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

-KJ





























































