DAIM ILAZI*
Të nderuar qytetarë maqedonas!
Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet multietnik e multikonfesional. Kemi pasur fate, vuajtje, tragjedi dhe robërues të ndryshëm. Ky shtet është i përbashkët për gjithë qytetarët e saj. Të gjithë paguajmë taksa, tatime, kontribute, marrim pjesë në ushtri, në polici, në të gjitha institucionet lokale e qendrore, e njohim lojalitetin e shtetit, e duam shtetin.
Ne aty kemi lindur, jetojmë në trojet tona që nga koha e ilirëve, prej para erës së re e gjer më sot. Gjyshërit tanë, katragjyshërit tanë këtu kanë jetuar den baba den.
Po deklarohemi se jemi shtet me të drejta të barabarta për gjithë qytetarët…
Pse e nënçmoni përdorimin e gjuhës shqipe me shifra, gjuha e populli 20%?
Pse në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, nga 79 akademikë, vetëm 3 shqiptarë keni pranuar?
Po bëj një pyetje të thjeshtë. Pse shprehni aq frustrime dhe alergji ndaj shqiptarëve, ndaj gjuhës, artit, muzikës dhe kulturës shqiptare?
Po ju e dini mirë se ky popull i ka dhënë botës dy nobelistë, Nënë Terezën dhe Dr. Ferid Muratin, njëra nga Shkupi, tjetri nga Gostivari.
Po këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha, me origjinë nga Dibra. A e dini se fama e emri i tyre e afirmon shtetin tonë në arenën botërore sa 20 ambasadorë?
A e dini se nga krejt shtetet fqinjë të Ballkanit, vetëm shqiptarët e pranojnë kombin maqedonas, gjuhën, fenë dhe kulturën maqedonase?
A e dini se në gjithë manifestimet kulturore, koncerte nëpër qytetet me 30, 40, 50% shqiptarë, për 35-vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, nuk u dëgjua asnjë këngë shqipe? Nga 30 këngëtarë që performojnë, a nuk gjetët asnjë këngëtar shqiptar me vlera evropiane?
Po, a kështu mendoni, të nderuar maqedonas, të shkoni në Evropë?
Jo, jo! Ajo na vështron me dylbi dhe me këtë mentalitet primitiv ballkanik edhe shumë gjatë do të presim në paradhomën e BE-së…
Po kombi shqiptar i ka dhuruar botës figura markante si Bekim Fehmiu, Rita Ora, Dua Lipa, Ana Oxa, Xhon dhe Xhim Belushi, Aleksandër Moisiu, Ismail Kadare, Inva Mula, Eliza Dushku, Ava Max, Angjelin Prelocaj, Lazim Destani, Mira Murati, Blerim Destani, etj., etj.
Më habit heshtja, indiferenca dhe sjellja infantile e kolegëve diplomatë dhe intelektualëve maqedonas?!
Mendoj se është koha për reflektim pozitiv dhe të mos jetojmë njeri pranë tjetrit, por bashkë, njeri me tjetrin.
*Daim Ilazi është diplomat, poet dhe shkrimtar shqiptar nga Tetova. Ka shërbyer për rreth 22 vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në poste diplomatike në Zvicër, Francë, Belgjikë dhe Turqi. Është autor i disa veprave poetike e publicistike dhe një figurë aktive e jetës kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ka marrë edhe dekoratën franceze “Kalorës i Palmës Akademike”.
© 2026 Argumentum



























































