Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë sot, më 20 gusht, në Festivalin Folklorik të maqedonasve në Pustec, në Prespën e Vogël.
Gjatë fjalës së tij, Mickoski theksoi nevojën për forcimin e lidhjeve institucionale me komunitetin maqedonas në Shqipëri, duke deklaruar se kujdesi për gjuhën, kulturën dhe lidhjet me Maqedoninë e Veriut duhet të jetë pjesë e një politike shtetërore të qëndrueshme.
“Por dua të them edhe diçka shumë qartë. Maqedonasit jashtë kufijve të Maqedonisë nuk duhet të jenë temë vetëm gjatë festave dhe festivaleve. Kujdesi për gjuhën, kulturën e tyre dhe lidhjet me atdheun duhet të jetë një politikë shtetërore e qëndrueshme”, u shpreh Mickoski.
Ai shtoi se shteti duhet të krijojë lidhje më të forta institucionale me maqedonasit e Prespës së Vogël, duke përmendur mbështetjen për shoqatat kulturore, botimin e librave, mësimin dhe kultivimin e gjuhës maqedonase, si dhe shkëmbimet mes të rinjve.
Por aktiviteti u shoqërua edhe me një incident protokollar.
Në hapje të festivalit u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk u ekzekutua himni kombëtar shqiptar, pavarësisht se aktiviteti u zhvillua në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolevski, reagoi pas incidentit, duke thënë se kishte kërkuar paraprakisht që, krahas himnit maqedonas, të ekzekutohej edhe himni shqiptar.
“Ja kam kërkuar që në momentin që do të ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar, sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare. Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit, sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”, deklaroi Kolevski.
Ai kërkoi ndjesë për situatën, duke sqaruar se Bashkia e Pustecit nuk ishte organizatore e aktivitetit, por kishte qenë e ftuar në të.
Kolevski tha gjithashtu se edhe kryeministri Mickoski nuk e kishte pritur mirë situatën.
“Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë. Të tre flamujt i kemi çuar nga bashkia si simbol për miqësi midis të dy shteteve që aspirojnë për të shkuar në BE”, tha ai.
Sipas Kolevskit, situata ishte e sikletshme dhe ai nuk kishte mundur të reagonte në momentin kur po zhvillohej ceremonia.
Incidenti i himneve rikthen vëmendjen te respektimi i protokollit shtetëror në aktivitetet publike që zhvillohen në territorin e Shqipërisë, veçanërisht kur ato përfshijnë përfaqësues të lartë të një shteti fqinj dhe komunitete kombëtare.
Në këtë rast, vetë kryetari i Bashkisë Pustec e ka cilësuar situatën si të papërshtatshme dhe ka bërë të qartë se, sipas tij, himni shqiptar duhej të ishte pjesë e ceremonisë.
/Argumentum.al




























































